SPAK/ Ja denoncimet për vjedhjen e shtëpive të zyrtarëve të lartë, nga Spiropali te Kraja e Veliu

0

Rozeta, një grua 49-vjeçare me një pamje atipike për një personazh vjedhësi ia ka dalë të hapë majën e një ajsbergu, pas të cilit mund të ketë vetëm një episod të rëndomtë vjedhjeje, ose një histori “viktimash” që nuk kanë dot zë për të denoncuar. Sot, një muaj gati pas goditjes së përqendruar që ajo me të birin bënë në banesës e zyrtares Alda Klosi, për të cilën publiku akoma nuk di nëse ka bërë një deklarim të mirëfilltë të pasurisë dhe stolive që kishte në zotërim, edhe pse jetonte me qira, në debatin e ngritur në kanalet e komunikimit, ka një përqindje të lartë të atyre që amnistojnë gruan.

Sikur të bazohemi vetëm në sondazhin që Dosja publikoi dje, 85% e votuesve mendojnë se interesi publik fiton nëse autoritetet bazohen më shumë se te dënimi i Rozetës, tek hetimi i burimit të parave të një nëpunëseje administrate, që në asnjë lloj rrethane nuk i justifikon këto para. Përpara ligjit, ka një deklaratë për para të lëna në përdorim nga familjarë, ndërsa mungon fatura, kontrata noteriale e çdo dokument që do ti jepte të drejtë Klosit përballë ligjit e publikut.

Në këtë diskutim, të gjithë pyesin sa ka pas Alda Klosit, kush e kishte radhën, ose kush ra pre e vjedhjeve më pas. Por përpara se ti japim pretencën publike Rozetës, historia na ka treguar se përsëritet dhe kur viktimat nuk mësojnë, përsëritet edhe më keq.

“Dosja” ka qëndruar tejet e rezervuar për të bërë raportimet e ngjarjeve që lidhen me vjedhjen e banesave të zyrtarëve të lartë, në kushtet kur mundësia për të verifikuar denoncimet në redaksi apo nga publiku, kanë qenë thuajse zero. Por, sot, një tjetër shqetësim madhor lind. A janë vjedhur banesa të tjera, nëse po, të kujt, e nëse të kujt, a kanë denoncuar? Denoncimi është prova e vetme që ndan përpara ligjit paranë e ligjshme nga ajo e fituar qyl.

Por kush janë të përfolurit  që asnjëherë nuk u mësua e vërteta për ta?

Lista nis me Ardi Veliun. Drejtori aktual i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, u denoncua publikisht se i ishin vjedhur 550 mijë euro në shtëpi në vitin 2013, kur drejtonte Policinë Bashkiake. Lajmi u raportua nga qytetari dixhital, që thoshte se Veliu e denoncoi ngjarjen por tha se i ishin vjedhur vetëm 12 ilionë lekë të vjetra. Por denoncuesi shkonte më tej, kur thoshte se Policia vuri 100 milionë lekë shpërblim për ata që do të jepnin informacion.

Rilindja Demokratike denoncoi vjedhje te shtëpia e Damian Gjiknurit

“Vidhet shtëpia e Gjiknurit, dalin thasët, policia e mban të fshehtë”, kështu shkruan Gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike në 11 tetor të vitit 2017.

Gazeta shkruante se banesa e Gjiknurit u vodh në mesditë, dhe ishte në rrugën “Fortuzi” pas Ministrisë së Drejtësisë në katin e tretë të një pallati. Hajdutët kanë hyrë nga dritarja e banjos të banesës dhe kanë marrë thasë me para, por sipas RD policia është kujdesur të fshehë ngjarjen. Lajmi bëri xhiron e portaleve, por asnjë verifikim nuk pati. Vetë Gjiknuri nuk bëri asnjë deklaratë.

Vidhet shtëpia e ish-kreut të SPAK, Arben Kraja bashkë me 7 vila të tjera në Lalëz

Në gusht të vitit 2021, portali i gazetarit Baton Haxhiu raportoi se ishte vjedhur shtëpia e kreut të SPAK, Arben Kraja. Përveç tij, hajdutët hynë edhe në 7 vila të tjera, në zonën e njohur për banesat e politikanëve, Gjiri i Lalëzit. Policia e Durrësit gjithsesi, nuk e konfirmoi asokohe ngjarjen, ndërsa kreu i SPAK e mohoi kategorikisht. Por ishte ish-deputeti Myslym Murrizi që publikoi pamjet e momentit të vjedhjes. Në pamje shiheshin hajdutët të veshur me kostum sportive, e me maskë anti-COVID në fytyrë e me kapele në kokë, ata rrinë gjatë në rrugë, derisa vendosin të rikthehen brenda banesës. Ndërkohë që krah tyre, dallohet qartë mjeti i kreut të SPAK, që mohoi kategorikisht të kishte ndodhur grabitja.

Vidhet shtëpia e Elisa Spiropalit?

Në janar të vitit 2019, deputeti demokrat Edi Paloka denoncoi se ishte vjedhur shtëpia e Elisa Spiropalit, ish-drejtoresha e Doganave, një nga emrat kryesorë në PS. Edhe në këtë rast, lajmi kaloi me denoncim në media pa asnjë konfirmim zyrtar.

“Pse i duhet Elises nje mandat i trete ?Mos valle sepse ne janar te ketij viti i hyne hajdutet ne shtepi? Po ne se i vodhen shtepine , pse nuk ka nje denoncim zyrtar ne polici ?!! Cfare kane vjedhur hajdutet ne shtepine e ministres se Rames , ish-drejtoreshe e doganave, qe nuk e lejon te bej denoncim ne polici ?!! Prandaj i duhet nje mandat i trete , qe te “kompensoj humbjet” dhe te barazohet prape me koleget ?“-shkruante Paloka asokohe, denoncim që e ka rikthyer sot me rastin e Rozeta Dobit…

Këto histori tashmë kanë ngelur pa adresë, e për to flitet pak, ndërsa në polici nuk gjenden as dy gisht letër për të bërë qoftë edhe një kallëzim…/Dosja.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu