Sondazhi që tregon se Këlliçi është kandidati i duhur për të mundur Veliajn

0

Shkruan Hysni Gurra

Sondazhi që tregon se Këlliçi është kandidati i duhur për të mundur Veliajn.

Dy javë pas zhvillimit të primareve, Eduard Zaloshnja, ka zhvilluar një sondazh për Bashkinë Tiranë. Në sondazh janë pyetur 1420 votues të kësaj bashkie.

Nga sondazhi rezulton se 54% (54.3) janë shprehur se do të votonin pro Veliajt dhe afërsisht 46% (45.7) do të votonin Belind Këlliçin.

Një diferencë vetëm 8% mes kandidatëve.

Me një marzh gabimi 2.5-3%

Duke qenë se Zaloshnja njihet si personazh më i afërt me të majtën (Veliajn) se me të djathtën (Këlliçin), lajmin e sondazhit e kanë publikuar të gjitha mediat që kanë linjë editoriale jo thjeshtë pro qeveritare, por ato që njihen thellësisht si përkrahëse të Veliajt në veçanti dhe e kanë trajtuar si zhvillim pozitiv për kryebashkiakun aktual sondazhin. Mediat që mund të anojnë djathtas nuk janë marrë fare me këtë sondazh, ndoshta janë kompleksuar.

Në fakt, ky sondazh vetëm lajm i “mirë” për Veliajn nuk është.

5-6 muaj para zgjedhjeve, te jesh vetëm 8% mbi kandidatin e opozitës është tregues se gara nuk të favorizon.

Veliaj në këto zgjedhje nuk është ofertë, është llogaridhënës, pasi ka 8 vite në drejtimin e bashkisë.

Ndërsa Këlliçi është ofertë e re. Ofertë të cilën akoma nuk ka filluar ta shpalosë publikisht, përveç disa pikave të shpallura.

Kështututje në këto 5 muaj të mbetura, Veliaj nuk mund të rishpikë veten dhe të zhvillojë një garë elektorale si ofertë e re. Të qenit në pushtet prej dy mandatesh, jo vetëm për Veliajn, po për këdo, të vendos detyrimisht në pozicion mbrojtës në fushatë, dhe jo në sulm. Këtë favor e ka gjithmonë sfidanti.

Pra, Veliaj në këtë fushatë elektorale nuk do të mund t’i fshihet procesit normal të llogaridhënies. Siç ndodh kudo.

Akuzat për betonizimin, afera e inceneratorëve, shembja e Teatrit, ndotja e qytetit etj, janë çështje me të cilat ai do përballet dhe duhet t’i japë shpjegime qytetarëve të Tiranës.

Në këtë kuptim ai që do t’i gërryejë hise tjetrit në këtë 8% diferencë është Këlliçi.

Këlliçi vjen në garë si ofertë e re. I pa konsumuar me pushtet asnjëherë. I papërlyer në afera korruptive.

Një tjetër detaj i sondazhit ishte edhe ata që nuk donin të votonin fare, të cilët nga 100 të pyetur ishin 39 veta.

Këta 39 veta për Veliajn është e sigurtë që nuk do dalin për të votuar çfarëdo që të ndodhë, sepse do ishin të vendosur nëse do ju pëlqente puna e tij. Këta janë kontigjent që presin një ofertë më të mirë e cila do t’i motivojë të dalin për të votuar. Ky kontigjent, ndryshe nga ai 8% që do jetë si një fije spango që tërhiqet nga dy anë, Veliaj në njërën dhe Këlliçi në tjetrën, është kontigjent lehtësisht i kapshëm për kandidatin e opozitës. E ka vetë Këlliçi në dorë, me programin e besueshmërinë që duhet t’u ofrojë, për t’i nxjerrë të votojnë këta 39 veta.

Lexuar kështu, ky sondazh jep një premisë tepër interesante për garën elektorale të 14 majit për Tiranën.

Mos të harrojmë makinerinë propagandistike, politike e ekonomike që ka kryebashkiaku aktual në dorë, dhe megjithëkëtë, 8% është.

Gjithçka në dorë të Këlliçit për t’u rikuperuar në këtë përqindje dhe për të nxjerrë në votim ata 39 që janë sot të vendosur mos votojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu