Shkruan Zef Ndreka
Integrimi i Shqipërisë në BE, do të varet nga mënyra si do të funksionojë parlamenti i ri.
Gjasat janë të ketë ecuri pozitive, pra një skenarë optimist, ku parlamenti do të funksionojë me rregulla demokratike.
Po analizojmë dy skenarët e mundshëm.
Skenari optimist
Në këtë rast, opozita edhe pse e ndarë në tre grupe parlamentare siç është paramenduar, do të bashkëpunojë për çështjet madhore të vendit.
Reforma zgjedhore do të arrihet me konsensus dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR do të zbatohen.
Parlamenti do të zhvillojë debate konstruktive dhe nuk do të mbetët thjesht në konflikte verbale siç jemi mësuar ta shohim deri tani, duke nxjerrë ligje cilësore.
Mazhoranca, pra PS, do të pranojë disa amendamente të opozitës për të treguar frymë bashkëpunimi. Dhe kjo do të jetë normale.
Kështu, BE do e lexojë këtë si pjekuri politike, do të hapen kapituj të rinj në negociata, dhe Shqipëria afrohet më shpejt drejt anëtarësimit.
Pra, sa më shumë bashkëpunim, do të ketë më shpejt integrim.
Skenari pesimist
Në këtë rast, opozita do të mbetët e fragmentuar dhe secili grup do të përpiqet të përdor sallën e foltorës për retorikë e akuza, pa arritur marrëveshje reale.
Reforma zgjedhore do të dështojë, zgjedhjet e ardhshme do të rrezikojnë të përsëriten me probleme.
Kuvendi do të shndërrohet në arenë zhurmash, dhe do të ketë me pak ndikim real mbi qeverinë.
PS do të miratojë ligjet e vetme, pa konsensus, duke lënë përshtypjen e një demokracie të brishtë, siç ndodhi në këtë legjislaturë.
Kështu, BE do të shtyjë procesin e integrimit, duke paralajmëruar se Shqipëria ende nuk ka kulturë dialogu politik mazhorancë-opozitë.
Pra, pesha reale është në dorën e opozitës dhe
shumë gjëra do të varen nga zgjuarsia politike e saj.
Nëse opozita e shfrytëzon fragmentimin në grupe parlamentare për të qenë më e fortë, do të kemi skenarin optimist.
Nëse do e kthejë parlamentin në grindje të pafundme, atëherë vendi do të mbetët në skenarin pesimist.
Pra, sa më shumë grindje, do kemi më shumë vonesa.
Por nga frika e përgjegjësisë politike që do të binte mbi opozitën në rastin e skenarit pesimist, mundet të ndodhë një kombinim i elementëve pozitivë e negativë, nga të dyja anët!
Ky mund të jetë edhe skenari më realist.
Opozita e ndarë në tre grupe ku secili grup do të luftojë për të treguar se është më aktiv, ndaj parlamenti do të bëhet më dinamik, por jo gjithmonë konstruktiv.
Për Reformën zgjedhore do të arrihet një kompromis minimal, vetëm për disa pika teknike, por jo një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, Kuvendi do të funksionojë normalisht, pa patur bojkot, por shpesh do të dominojë retorika politike mbi përmbajtjen.
Ndërsa PS-ja që mban shumicën absolute në parlament dhe miraton ligjet kryesore, hera-herës do të pranojë presionin e opozitës për çështje specifike si p.sh. transparencë buxheti, komisione hetimoreetj.
Kështu BE do e shikojë Shqipërinë si të qëndrueshme, por ende me probleme në kulturën e dialogut. Do të jap disa vlerësime pozitive, por do të lërë kushtëzime për hapat e mëtejshëm.
Shqipëria do të ecë përpara në integrim, por jo me ritmin që dëshiron, për shkak të fragmentimit politik dhe mungesës së një konsensusi të plotë.