Skandal në prag arrestimi/ Belinda Balluku emëron në krye të KPP-së të besuarën nën hetim nga SPAK

0

Shkruan Almer Toska

Belinda Balluku, e zhytur në 11 hetime penale të hapura në SPAK, vijon ofensivën për kapjen e institucioneve kyçe të shtetit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se ministrja po shtyn me çdo kusht emërimin e Irma Drobonikut në krye të Komisionit të Prokurimit Publik, pavarësisht faktit se ajo ndodhet nën hetim penal nga SPAK.
Emri i Drobonikut ka mbërritur tashmë në Kryeministri si kandidate për drejtimin e KPP-së, një institucion strategjik që administron miliarda euro tendera publikë. Droboniku rezulton e implikuar në të paktën dy dosje korruptive që po hetohen nga prokurori i posaçëm Prençi, ku komunikimet dhe aktet e saj janë pjesë e provave të administruara nga SPAK.
Sipas burimeve, Irma Droboniku ka qenë “syri dhe veshi” i Ballukut dhe Viola Haxhiademit në KPP, duke raportuar çdo veprim të ish-kreut të këtij institucioni dhe duke zbatuar porositë politike të ardhura nga Ministria e Infrastrukturës. Roli i saj ka qenë kyç në mekanizmin e kontrollit të prokurimeve publike, duke e kthyer KPP-në në një hallkë të zinxhirit të kapjes institucionale.
Droboniku njihet për lidhjet e saj të ngushta shoqërore me Viola Haxhiademin, e emëruar së fundmi në krye të KESH, ndërsa karriera e saj ka marrë hov pas vitit 2013, paralelisht me ardhjen në pushtet të Rilindjes. Nga një mami në maternitetin e Fierit, ajo u katapultua në poste kyçe, falë sponsorizimit politik dhe besnikërisë ndaj Ballukut.
Pavarësisht se rrethi i hetimeve po shtrëngohet, Balluku nuk ndalet. Përkundrazi, po përpiqet të betonojë kontrollin mbi institucionet para se drejtësia të trokasë në derë. Emërimi i një personi nën hetim në krye të KPP-së përbën një akt të hapur sfide ndaj SPAK-ut dhe një alarm të kuq për kapjen totale të shtetit.
Tani pyetja nuk është më nëse ka shkelje, por sa larg do të lejohet të shkojë kjo skemë para se drejtësia të veprojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu