Shkruan Kristina Jorgaqi
Pasi kisha rilexuar me shumë kënaqësi, pas kaq e kaq vitesh, romanin e famshëm të Fojtvangerit Çifutja e Toledos dhe përpiqesha të ndaja me një miken time mendimet dhe emocionet që më kish rizgjuar ai libër, mësova në bisedë e sipër një fakt të çuditshëm. Shqipëruesi i njohur i veprës, me origjinë çifute, ishte shprehur si në biseda private, ashtu edhe publikisht se e refuzonte prerazi përdorimin e fjalës çifut për shkak të ngarkesës negative që ka marrë kuptimi i saj në shqipe.
Në çast e kapa veten duke menduar se si do t’ia bënte përkthyesi me titullin në variantin e ri të veprës, të cilën kisha dëgjuar se do ta ribotonte të plotësuar? Do t’i vinte një titull tjetër, krejt të ri, apo do të zëvendësonte vetëm fjalën çifutja? E nëse bënte këtë të dytën, ç’mund të dilte? Hebreja e Toledos, Izraelitja e Toledos, Judeasja e Toledos …?
Në të vërtetë, asnjeri nga këta tituj virtualë nuk më rrinte mirë. Hebreja më tingëllonte tepër librore, prandaj dhe disi e panatyrshme, ndërsa izraelitja dhe judeasja, me atë ngarkesën e tyre biblike, më dukeshin krejt të papërshtatshme …
Nejse, nuk ia vlente që të vazhdoja të vrisja mendjen gjatë për të gjetur titullin e ri të romanit, që afërmendsh s’ishte puna e lexuesve si unë, por e përkthyesit[1]. Për mua si gjuhëtare kishte më shumë rëndësi fakti që refuzohej të përdorej një fjalë e ngulitur dhe aq popullore e shqipes për shkak kinse të ngjyrimit përçmues që ajo kishte marrë.
Sot në shqipe ka, siç dihet, tri emra që përdoren për të shënuar pjesëtarët e atij populli, i cili ka pasë jetuar deri në shekujt e parë të erës sonë në Palestinë, por që më vonë u shpërnda në vende të ndryshme të botës. Dhe këta janë: çifut, hebre e izraelit. Ndër këto, fjala çifut – me prejardhje nga turqishtja – është më e vjetra, prandaj dhe më popullorja në shqipe. Përpara pushtimit turk, në shqipe përdorej një fjalë tjetër, e huazuar nga italishtja, fjala xhudhi, të cilën e ndeshim tek të gjithë autorët tanë të vjetër: Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani. Ndërsa fjalët hebre dhe izraelit janë shumë më të reja, të ardhura në shqipe nga gjuhët neolatine (italishtja e frëngjishtja), kryesisht nëpërmjet rrugës librore.
Fjala çifut, duke qenë një fjalë e vjetër dhe njëkohësisht me njohje e përdorim shumë të gjerë në mbarë shqipen, ka pësuar natyrisht edhe ndryshime kuptimore. Kështu, përveç kuptimit si etnonim, domethënë si emër që shënon përkatësinë apo prejardhjen nga një popull i caktuar, fjala ka zhvilluar edhe një kuptim tjetër: “njeri shumë dorështrënguar dhe që në çdo gjë sheh përfitimin e vet” (Fjalori i shqipes së sotme, 2002). Madje një kuptim të tillë me ngjyrim keqësues nuk e gjejmë vetëm në shqipe, por edhe në shumë gjuhë të tjera të Europës.
Prapa këtij kuptimi “fshihet” një fakt historik: shumë çifutë, për shekuj me radhë, kanë ushtruar profesionin e fajdexhiut, çka do të thotë se ata janë identifikuar shpesh me të keqen. Veç kësaj, të mos harrojmë imazhin aspak të mirë që u kultivua për ta për shekuj me radhë në botën e krishterë si vrasës të Krishtit. Letërsia, gjithashtu, për hir të së vërtetës, ka ndihmuar për të gdhendur arketipin fizik e moral të çifutëve. Mjaft të kujtojmë figurën e Shilokut te Tregtari i Venedikut apo të Kolbit te Paraja e Emil Zolasë. Tëgjitha këto, kuptohet, nuk kish si të mos linin gjurmë edhe në gjuhë.
Sidoqoftë, kuptimi i dytë që ka marrë fjala çifut, edhe pse me ngjyrim keqësues, nuk ndikon aspak në përdorimin normal të saj si etnonim. Zhvillimet e kuptimeve të ndryshme brenda të njëjtës fjalë dhe bashkekzistenca e tyre bën pjesë në “fiziologjinë” e çdo gjuhe. Heqja e një fjale nga përdorimi vetëm pse kjo ka zhvilluar një kuptim keqësues, nuk mund të kryhet në mënyrë voluntariste, aq më pak prej një njeriu të vetëm. Është pak a shumë njësoj sikur ndonjë intelektual erudit, adhurues i Ciceronit, oratorit të lashtësisë, të ngrihet sot e të thotë se duhet gjetur një fjalë tjetër për të shënuar “personin që shpjegon e drejton vizitorët në një ekspozitë, vend turistik etj.” e jo të përdoret fjala ciceron, pasi kjo e ul figurën e oratorit të shquar.
Në gjuhë, krahas ndryshimeve të brendshme, ka edhe ndryshime të cilat imponohen nga jashtë. Si një shembull, ndonëse jo dhe aq të zakontë, do të përmendja faktin që në SHBA, në vitet 60 të shekullit XX, u zhvillua një lëvizje e fuqishme feministe, në kuadrin e së cilës u ndërmor edhe një fushatë kundër përdorimit seksist të gjuhës. Feministet kërkonin, ndër të tjera, që gjithë emrat e gjinisë mashkullore që përdoreshin për të shënuar si meshkujt dhe femrat, të eliminoheshin. Në vend të tyre të përdoreshin trajta neutrale. Kishte edhe kërkesa të tjera nga më të habitshmet, por që çuditërisht, siç doli nga një studim i kryer pas dhjetë vjetësh që nga fillimi i fushatës, ishin pranuar dhe kishin gjetur zbatim mjaft të gjerë në gjuhën e shkruar.
E pra, nëse për një çast do të hamendësonim që një numër i madh shqiptarësh me prejardhje hebreje nesër-pasnesër do të ngrihej dhe, në kuadrin e një lëvizjeje të gjerë për mbrojtjen e të drejtave të tyre si komunitet, do të kërkonte nxjerrjen nga përdorimi të fjalës çifut, mund të ndodhte që, nga gjuha zyrtare, ajo edhe të dilte. Sidoqoftë, tani për tani të paktën, kjo nuk ka gjasë të ngjajë. Le të vazhdojmë atëherë ta përdorim fjalën çifut e krahas saj edhe sinonimin hebre (jo ebre). Por kujdes me izraelit. Ky emër do të ishte mirë të përdorej kryesisht për të shënuar “shtetasin e Izraelit”. Apo, së bashku me judeas, edhe si term biblik e historik.