Shumë shpejt të tjera “prerje kokash”? SPAK vijon hetimet pas goditjes së grupit të kokainës, çfarë zbuloi Altin Dumani në Brazil

0

Një megaoperacion i SPAK ka goditur dy ditë më parë grupin e trafikut të kokainës që sillte drogë nga Amerika Latine për ta përpunuar në laborator në vendin tonë dhe më pas e trafikonin drejt vendeve të BE. Ndërkohë hetimet vijojnë.

Droga importohej në vendin tonë nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, si Ekuador, Venezuelë apo edhe Kolumbi. Mësohet se një sasi e drogës ka ardhur edhe nga Brazili apo Republika Domenikane.

Jo më kot më 5 nëntor një grup i prokurorëve të posaçëm ishte për vizitë në Brazil, përfshirë Altin Dumanin dhe Adnan Xholi që hetojnë grupin e drogës, sepse nga Brazili dyshohet të ketë ardhur një pjesë e kokainës.

Si transportohej kokaina?

Kokaina dyshohet se është futur në vendin tonë përmes Portit të Durrësit, ndërsa grupi hetimor po punon për të verifikuar ku është blerë produkti, ku është ngarkuar në kontejner dhe itinerarin që kanë ndjekur anijet, kalimin tranzit deri në sjelljen e drogës deri në vendin tonë.

Kokaina vinte në vendin tonë e fshehur në lëkurën e gjedhit, një mënyrë kjo e përdorur nga ky grup për ta kamufluar dhe për t’i shpëtuar kontrolleve me qen antidrogë për shkak të erës së rëndë të lëkurës së bagëtive. Ky është një ndër të pakta operacione të udhëhequra nga SPAK, përmes të cilit janë ekzekutuar të gjitha urdhër arrestet e lëshuara nga GJKKO, duke lënë zero hapësira për dekonspirim.

10 urdhër arrestet u ekzekutuan në operacionin e 15 tetorit duke çuar në pranga 7 shqiptarë dhe 3 të huaj, 2 venezuelian dhe 1 kolumbian.

Në laboratorin e përpunimit të kokainës në Qerekë, autoritetet gjetën 850 lëkurë të kriposur bagëtish, 48 ton, ku SPAK thotë se fshihet kokainë e importuar nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor të vitit 2024. Në këtë pikë hynë në lojë të huajt nga Venezuela dhe kolumbianët, ekspertë që garantonin sukses për të nxjerrë kokainën nga materialet organike.

SPAK tha se zgjedhja e laboratorit në fshatin Qerekë, nuk është e rastësishme. Pozicionuar pranë aeroportit të Rinasit, agjencitë ligjzbatuese e kanë të vështirë monitorimin nga ajri. Por nga ana tjetër, bashkë me bazën në Durrës, të lokalizuar pranë Portit të qytetit bregdetar, grupi i trafikantëve e kishte më të lehtë dhe të shpejtë transportonin e drogës dhe përzierësve kimikë përmes aeroportit dhe Portit.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë, 89 kg përzierës të ngurtë, 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës dhe mbi 51 mijë euro.

Plot 22 celularë janë në duart e SPAK që përmes hetuesve të BKH-së pritet të zbulojë më shumë mbi komunikimet e këtij rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM, ndërsa 3 automjete u sekuestruan bashkë me dokumente të tjera të rëndësishme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu