Shkruan Zef Ndreka
Amerika nuk blihet, ajo fitohet me besim.
* Kur “pagesat” ndaj SHBA-ve bëhen fyerje ndaj vetë Amerikës
Prej disa kohësh, në debatet politike shqiptare janë shtuar zërat që flasin për “ndikimin e Sorosit në kapjen e shtetit” apo për “pagesa miliona dollarëshe për të hequr ‘non grata’”. Këto teza, të hedhura shpesh pa asnjë provë të besueshme, mund të tingëllojnë si pjesë e lojës së brendshme politike, por në thelb përbëjnë një fyerje ndaj vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sepse kur thuhet se dikush “ka blerë” apo “ka ndikuar” SHBA-në për vendime të caktuara, nënkuptohet se Departamenti i Shtetit apo institucionet amerikane janë të korruptueshme, se drejtësia dhe politika amerikane mund të manipulohen me para, apo se qëndrimet e Uashingtonit varen nga interesa të ngushta financiare.
Kjo është një akuzë e rëndë dhe thellësisht e padrejtë ndaj një vendi që ka qenë për më shumë se tridhjetë vjet mbështetësi më i madh i shtetit shqiptar dhe i institucioneve tona demokratike.
Në realitet, këto narrativa lindin shpesh si reaksion politik ndaj goditjeve të brendshme, për të krijuar një alibi morale,.
Kur dikush shpallet “non grata” ose përballet me akuza serioze, më e lehtë është të thuhet “më kanë sulmuar amerikanët e gabuar”, sesa të përballesh me faktet. Në të njëjtën mënyrë, përmendja e emrit të Sorosit apo e fondacioneve të tij përdoret për të ndezur ndasi ideologjike, ndonëse roli i tyre në Shqipëri ka qenë publik, i deklaruar dhe i kufizuar në fushat e zhvillimit demokratik dhe shoqërisë civile.
Në Uashington, këto teori shihen si tentativa për të ulur besueshmërinë e aleancës me SHBA-të dhe për të relativizuar ndikimin e tyre në rajon. Por për qytetarët shqiptarë, pasojat janë edhe më të dëmshme, sepse krijohet përshtypja se gjithçka është e manipuluar, se as partnerët tanë strategjikë nuk janë të besueshëm, dhe kështu gërryhet një nga shtyllat e pakta të konsensusit kombëtar.
Por, marrëdhënia me SHBA-në nuk është çështje lobimi, është çështje vlerash. Ajo është ndërtuar mbi mbështetje, ndershmëri dhe qëllim të përbashkët, forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë.
Prandaj, përpara se të përmenden shifra apo “pagesa sekrete”, do të ishte mirë të kujtojmë se Amerika nuk blihet, ajo fitohet me besim, jo me teori…