” Shfaqja që shkon keq”, komedia që ‘ngjalli’ mirësi dhe mbarësi për Teatrin ‘Migjeni’

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Shkodrës nuk i mungojnë dhe nuk do ti mungojnë kurrë talentet e reja, regjizorët dhe drejtuesit dashamirës dhe punëtorë, për çuar përpara artin dramatik, komedinë, muzikën dhe artin në përgjithësi. Kam ndjekur me vëmendje festivalin e teatrove të shkollave të mesme 2024, që prezantoi shumë talente, të rinj shkodranë që e duan teatrin, skenën dhe artin në përgjithësi. Por kur këta talente përzgjidhen, vlerësohen dhe mbështeten nga drejtues, regjizorë, profesionistë dashamirës të artit skenik, e ardhmja e Teatrit ‘Migjeni’ do të jetë sigurtë.

Ne skenën e teatrit ‘’Migjeni’’ u shfaq premiera e dramës ose komedisë ‘’Shfaqja që shkon keq’’, e shkruar nga Henry Lewis, Jonatan Sayer, Henry Shields dhe luajtur nga të rinjtë e talentuar, pjesmarrës në festivalin e teatrove të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës. Kjo komedi tregoi edhe njëherë tjetër se Shkodrës nuk i mungojnë talentet e reja, që premtojnë për të ardhmen e artit dramatik dhe komedisë. Regjizorët Fritz Selmani dhe Gerti Palali, në bashkëpunim me drejtorin e Teatrit ‘Migjeni’ regjizorin e mirënjohur Arjan Culiqi, kanë ditur të përzgjedhin aktorët më të talentuar të rinj nga festivali i shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës. Ky aktivitet prezantoi dëshirën dhe talentin e të rinjve shkodranë për të mbajtur gjallë artin skenik në Shkodrën e artit dhe kulturës dhe skenën e Teatrit ‘Migjeni’.

Subjekti i shfaqjes ‘Shfaqja që shkon keq’ është :’Një trupë teatrore e një qyteti, përgatitet për të vënë në skenë dramën “Vrasje në shtëpinë e Havershamëve”. Pas një periudhe të gjatë provash janë në skenë dhe janë përpara publikut, por aty shumë gjëra nuk shkojnë sipas planit duke bërë që aktorët të improvizojnë sipas mënyrës së tyre’. Shfaqja që shkon keq është një komedi plot situata komike e vënë në skenë nga Fritz Selmani Gerti Palali, me aktorët e rinj: Arenci Radaj, Evis Muriqi, Jozef Marashi, Orgen Osja, Hulja Efovija, Adrian Paloka dhe Amelja Krosaj. Po e ndiqja mrëmë shfaqjen në Teatrin ‘Migjeni’ dhe të gjithë aktorët e rinj prezantuan energji artistike, spontanitet dhe sinqeritet artistik. Ata përballuan me shumë profesionalizëm, situatat në këtë komedi, me spontanitet artistik duke transmetuar art dhe optimizëm tek publiku në sallën e Teatrit ‘Migjeni’. Aktoret e rinj me ‘pershfaqeshin’ si aktorë profesionistë, sikur kishin ‘lindur’, kishin vite në skenën e Teatrit Migjeni. Aktrimi i tyre plot pasion dhe kompetencë, pa ‘imituar’ asnjë model të mëparshëm, na la një përshtypje të veçantë artistike.

Desha ti takoj mbas shfaqjes, por më mirë vendosa të shkruaj pak reshta për këtë komedi. Skenografia dhe efektet zanore ishin në funksion të idesë së shfaqjes. Drama ose komedia” Shfaqja që shkon keq” është prezantuar edhe si një serial televiziv në Britani. ‘Shfaqja shkoi keq’ është gjithashtu edhe një serial televiziv komedi britanik i krijuar nga Henry Lewis, Jonathan Sayer dhe Henry Shields, dhe prodhuar nga Mischief Screen dhe Big Talk Productions, në bashkëpunim me Lionsgate UK, për BBC. Në program luajnë anëtarët e ansamblit të kompanisë ‘Mischief Theatre’, të cilët ripërsërisin rolet e tyre si anëtarë të kompanisë fiktive të teatrit, “Cornley Polytechnic Drama Society”, ndërsa drejtojnë një shfaqje televizive “live” skenike, e cila tenton të ‘shkojë keq’ për shkak të gabimeve, aksidente dhe çështje të tjera që pengojnë përpjekjet e kompanisë. Koncepti u krijua nga Lewis, Sayer dhe Shields pas dy specialeve televizive të Krishtlindjeve për BBC, me serialin premierë në BBC One më 23 dhjetor 2019. Në vitin 2020, grupi kreu një seri të dytë, por nën udhëzime strikte për shkak të pandemisë COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u transmetua më 27 shtator 2021. Studjuesi i teatrit Kevin T. Baldwin shkruan per komedine ‘Shfaqja që shkon keq’: ‘Një paralajmërim për këdo që planifikon ta shohë këtë shfaqje: ‘Kjo shfaqje përbëhet nga shumë “dështime për t’u ‘nisur’” që përfshin skena, rekuizita dhe kostume që mund të “nisin” , me dashje ose pa dashje, në drejtimin tuaj të përgjithshëm’.

Po e mbylli shkrimin me fjalët e Drejtorit të Teatrit ‘Migjeni’ regjizorit të mirënjohur Arjan Culiqi, që shprehet për shfaqjen: ‘Një shfaqje brilante një komedi situatash e realizuar me kaq mjeshtëri nga këta fëmijë shumë të talentuem, këta të rinj të mrekullueshëm. Jam me të vërtetë shumë i emocionum dhe shumë i kënaqun nga kjo shfaqje. Këta të rinj janë e ardhmja e trupës tonë. Ne po ndërtojmë një trupë të re, besoj se së shpejti, do të jenë këta protagonistë në Teatrin ‘Migjeni’’. ” Shfaqja që shkon keq, është metaforikisht mesazhi ose ‘shenja’ e punëve të mira, për të ardhmen e Teatrit Migjeni Shkodër, për të shkuar mirë dhe mbarë. Humori i ‘hollë’ anglo-sakson, anglez duhet të jetë pjesë e skenës së Teatrit Migjeni në të ardhmen, krahas autorëve të tjerë të huaj dhe vendas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu