Shefi i krimeve të komisariatit Nr. 6 që u arrestua me Erzen Breçanin, nipi i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni

0

Shefi i krimeve i Komisariatit nr. 6 në Tiranë Dedan Gjoni, i arrestuar për sigurimin e kushteve për vrasje, është nipi i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Dedan Gjoni është djali i vëllait të ish-gjyqtarit të hetuar për fshehje pasurie, që pati dhënë dorëheqjen, para se të dilte para vetingut.

Gjyqtari Gjoni është një figurë kontraverse e sistemit të drejtësisë i kosnsideruar si një nga gjyqtarët më të pasur në vend sipas vetëdeklarimeve të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave.

Ai dhe bashkëshortja Elona Çaushi u kallëzuan nga ILDKPKI në vitin 2014 për mosdeklarim pasurie dhe konflikt interesi, por hetimet e prokurorisë së Elbasanit u pushuan pas një sërë vendimesh të gjykatave në të tre shkallët që fillimisht ndaluan zgjatjen e afateve dhe më pas vendosën se “fakti nuk ekzistonte” dhe se Gjoni e bashkëshortja nuk kishin “pasuri të padeklaruara dhe të pajustifikuara, apo burim të paligjshëm të financimit të tyre.”

Gjyqtari Gjoni u shortua për t’iu nënshtruar procesit të vettingut në vitin 2018, ndërkohë që në tetor të të njëjtit vit ai mori leje prindërore 2-vjeçare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në letrën e tij të dorëheqjes, Gjoni pretendon se vettingun po e kalojnë vetëm “shërbëtorët e politikës” dhe ata që “firmosin dhe vulosin pa menduar”.

Pas 27 viteve karrierë, Gjin Gjoni, një nga njerëzit më me influencë në drejtësisë shqiptare, i shumëpërfolur për pasurinë miliona euro dhe për disa vendime të bujshme, vendosi të largohet me urgjencë nga sistemi gjyqësor. Gjin Gjoni po verifikohej prej 20 muajsh nga Komisioni i Vetingut për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale, një kohë kjo shumë e gjatë në raport me kohëzgjatjen e gjyqtarëve të tjerë. Në këto rrethana,  përballja e Gjin Gjonit me Komisionin e Vetingut, për t’u njohur me gjetjet e Verifikimit,  ishte e pashmangshme, prandaj zgjodi dorëheqjen.

Në një dosje të referuar në prokurori, ILDKP pretendon se Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi nuk justifikojnë deri në vitin 2014 një pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro. Deri më sot nuk ka një vendim të drejtësisë që të shprehet nëse pasuria e Gjin Gjonit dhe Elona Çaushit është apo nuk është e ligjshme, por është e qartë tashmë se Gjin Gjoni dha dorëheqjen nga drejtësia në prag të përballjes së Vettingut, në fokus të të cilit është pikërisht verifikimi i pasurisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu