Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë futur në listë të zezë 10 individë, duke shpallur rundin e radhës së sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Në ueb-faqen zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Sipas SHBA-së, Savo Cvijetinoviq është anëtar i bordit ekzekutiv të partisë së presidentit Milorad Dodik, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur. Ai gjithashtu është përfaqësues i kompanisë BN Inzinjering, që në krye ka një ish-shef të forcave ajrore ruse. Kjo kompani ka lehtësuar transferimin e paligjshëm të motorëve të helikopterëve të prodhuar në Ukrainë në Rusi nëpërmjet Bosnjës
Petar Djokiq është aktualisht ministër i Industrisë, Energjisë dhe Minierave. Në 2017-n, Djokiqi pati nënshkruar një marrëveshje me ministrin kroat të Energjisë dhe Mbrojtjes së Ambientiit, për të ndërtuar një tubacion nga Kroacia në rafinerinë Bosanski Brod, që është në pronësi të një kompanie ruse.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje konsiderohet kërcënim për zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit. Sanksionimi i Djokiqit është sinjal i qartë se SHBA-ja nuk toleron sjelljen anti-Dejton.
Djokiqi përflitet si bashkëpunëtor ose i përfshirë direkt në pengimin e çdo marrëveshjeje të sigurisë, paqes e bashkëpunimit ose njohjes reciproke në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Dushko Peroviq është në krye të Zyrës së përfaqësimit të Republikës Serbe në Moskë. Ai ka qenë pjesë përbërëse e organizimit të ndërveprimeve mes presidentit Milorad Dodik dhe partisë së tij, SNSD. Peroviq ka lobuar vazhdimisht për takime mes Dodikut dhe presidentit rus, Vladimir Putin.