SHBA, brutale në Shqipëri!

0

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Altin Dumani, më saktë mënyra se si u zhvillua dhe u përmbyll procesi, shënjon një fazë të re për drejtësinë e re dhe Shqipërinë.

Të gjithë pa përjashtim, klasa politike, prokurorë e gjykatës, KPLP e KLGJ, Rama, Berisha, Metaj dhe kushdo që ka qenë në pushtet këto 32 vite, mësuan përfundimisht se SHBA e ka ndarë mendjen që ti vërë ruspën korrupsionit në Shqipëri. E bëjnë për shqiptarët por natyrisht po aq e bëjnë, edhe për interesat e tyre strategjike në këtë rajon.

Shqiptarët u ngazëlluan, treshja futi bishtin nën shalë apo lëshoi ca hungërima revolte, kurse shumë të tjerë në sistemin e drejtësisë morën mesazhin e qartë.

Ka zëra që bëjnë si të revoltuar apo të shqetësuar për mënyrën brutale se si ambasadorja Yuri Kim, veproi me këtë proces. Në fakt është e vërtetë që perëndimorët sa vjen dhe më shumë po kanë një qasje revolucionare, për sa i përket zhbllokimit të demokracisë funksionale dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

E kam thënë edhe në një shkrim tjetër; Po, në vendin tonë po ndodh një revolucion por ai po vjen nga SHBA dhe BE. Revolucionet me ngjyra propagande të Ramës, ato me përmbysje të Berishës apo me “thyerje në mes” të Metajt, jo vetëm që janë anti-kohë dhe anti-historike, por janë edhe të dështuara që në vezore.

Lufta bëhet për të shkulur ingranazhin e korrupsionit ekonomik dhe politik të këtyre 32 viteve dhe protagonistë të tij janë, pikërisht ata të tre. Ata mund dhe janë duke e bërë atë që kanë në dorë, por për shqiptarët e ndershëm janë në kundërrevolucion.

Kjo që po ndodh e ka një arsye madhore, e ka një mbushje kupe. Pas shumë tentativave dhe eksperimenteve në Shqipëri gjatë këtyre 3 dekadave, me “reforma” zgjedhore e në fushat e tjera, u pa qartë se qarkullimi i elitave ndryshimi “me votë” nuk funksionon. E vetmja rrugë që mund të shkallmojë këtë riciklim të pafund në shtet dhe politikë të korrupsionit të organizuar, është ajo penale.

Reforma në Drejtësi me gjithë problemet e mëdha po funksionon. Ka mjaft zëra skeptikë, (herë pas here edhe vetë jam mes tyre), që kanë kritika të drejta dhe të mëdha për shumë aspekte të saj. Ka të tjerë të cilët e hedhin poshtë dhe e quajnë, krejtësisht të dështuar dhe të kapur.

Krahu politik Berisha- Metaj kanë që në vitin 2016 që vetëm e sulmojnë. Edi Rama pasi kapi çfarë mundej brenda institucioneve nëpërmjet parlamentit, ca kohë bënte si “baba” i saj, kurse tani që mësoi se kush është babai dhe ustai i vërtetë, është ç`fazuar dhe i ka hapur luftë SHBA, pavarësisht se kthetrat bashkë me bishtin e zgjatur i fut ndër shalë kur i tregojnë vendin.

Shikoni çfarë ndodh; flasin për Drejtësinë e re këta. Këta që gjatë 32 viteve e kanë futur vendin në kriza të forta politike dhe jo vetëm, për të ndarë në fund si një tepsi bakllavaje prokurorin e përgjithshëm, gjyqtarët e GJL dhe të Kushtetueses, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për kontrollin e KQZ-së, SHISH, etj.

I harruat gjyqtarët e plepave, po pazaret për presidentë e kryeprokurorë; po Adriatik Llallën që luante me tre portat Rama- Metaj- Berisha; po Visho Ajazin e SHISH që nga besnik pa kushte i Berishës, përfundoi në i dekoruar dhe ambasador i Ramës?!

Edhe tani me këtë drejtësi nën kujdestarinë e SHBA dhe BE, të njëjtën gjë po tentojnë të bëjnë. Të kthejnë mbrapsht historinë e tyre të kontrollit të shtetit ligjor dhe të grabisin dhe të ruajnë plaçkën që kanë bërë. Po sot e keni vënë re që përveç deputetëve dhe lidershipit të krahut politik të PD zyrtare që përkrahet nga Perëndimi, të gjithë të tjerët kanë përfunduar ose janë kandidatë për SPAK?!

Tani, ekziston kush që të na thotë se si mund të bëhet ndryshe me këta që kanë 32 vite që ndihen zot edhe në qeveri edhe në parti, edhe në opozitë edhe kur votohet, edhe kur vjedhin shqiptarët edhe përpara drejtësisë?!

Drejtësia e fundi i pandëshkueshmërisë, patjetër që do të futen në hulli në mënyrë brutale, siç edhe më në fund po vepron Perëndimi nëpërmjet SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. Përndryshe, shushunjat janë asgjë në krahasim këtë klasë politike hajdute e cila i ka mbirë dhe nuk i shkulet Shqipërisë nga trupi, sot e 32 vite të shkuara.

Brutalisht na kanë vjedhur, brutalisht do të detyrohen të japin llogari!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu