Analisti Lorenc Vangjeli, u shpreh se në “rrjetën” e SPAK, janë njerëz të rëndësishëm të politikës dhe medias, teksa paralajmëroi se janë disa ministra e ish-ministra që mund të arrestohen me urdhër të SPAK.
Në një intervistë për emisioni “Top Story”, Vangjeli tha se në një aksion të përafërt si ky i sotmi ndaj efektivëve të policisë, shumë shpejt do të kemi arrestime të tjera.
“Do të shikojmë politikanë të rëndësishëm që kanë shkëlqyer me ‘make up-in’ e tyre nën dritën e prozhektorëve, që do të shndërrohen në banditë të rëndomtë. Ministra dhe ish-ministra, deputetë. S’keni parë asgjë akoma, thoshte dikur Edi Rama. S’keni parë gjë akoma duket sikur thotë Dumani dhe njerëzit e tij. Do të ketë edhe njerëz të rëndësishëm të medias. Njerëz të legjislativit, drejtues të lartë të policisë, ish dhe aktualë, madje edhe njerëz të botës së medias. Të gjithë, në një mbrëmje si kjo ose në një mëngjes që do të pasojë, do të pësojnë këtë Metamorfozë. Nga shkëlqimi e shndërrimi në të kundërtën e saj. Do të shikojmë edhe njerëz shumë të pasur, që do të përfundojnë po njëlloj. Ora e të vërtetës nuk paralajmëron. Ora e të vërtetës kur vjen, kupton që jeton. Ne tani po jetojmë në mallkimin e famshëm kinez, po jetojmë në kohë interesante. Nuk e di sa mund të sigurohet drejtësi, por që do të ketë ndëshkim, do të ketë”, tha Vangjeli.