Presidenti Bajram Begaj thotë se mbajtja e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë është një ngjarje historike për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së.
“Mbajtja në Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit. I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”, thotë kreu i shtetit.
Liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen ditën e sotme në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në një vend jo anëtar.
Edhe këtë herë, në fokus do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Edi Rama, si mikpritës, ka zgjedhur ambientet e reja të Piramidës për të mbajtur këtë takim në kryeqytetin shqiptar.
Në orën 11:00 do të nisë mbërritja e liderëve ndërsa punimet e këtij samiti do të hapen 30 minuta më vonë nga fjala e kryeministri Rama, Kancelarit Scholz, Presidentit të KE Ursula Von der Leyen dhe kreu i këshillit Europian Charles Michel.
Do të ketë dy sesione të ndara, të cilat lidhet me integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt tregut të unik të BE-së çka sipas Brukselit do të bëjë të mundur edhe për integrimin ekonomik me faza.
Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale.
Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen.