Shkruan Naim Flamuri
Politika shqiptare nuk është më as farsë, as tragjikomedi. Ajo është ritual i përditshëm i zullumit, ku katilat nuk vrasin më me pushkë, por me ligje, tendera dhe harresë të qëllimshme. Ata nuk e njohin gjakun, por e pinë ngadalë: në varfëri, emigrim dhe poshtërim kolektiv. Sot rrëzohet një Pallosh, nesër ringrihet me një pazar të ri. NonGrata shpallet si damkë morale, por përdoret si kartë shantazhi, jo si pastrim. Pleqtë e tranzicionit, të rrudhur nga vitet por jo nga lakmia, flasin për vjedhje sikur të ishin statistika futbolli: “ky ka vjedhë më shumë”, “ai më pak”. Jo për drejtësi, por për xhelozi hajdutësh.
Një 81-vjeçar flet ende për misione historike, ndërsa historia e vërtetë i ka mbyllur derën prej kohësh. Ai nuk lufton për ide, por për pronësi: partia është çiflig, militantët janë argatë, e rinia është rrezik. Sepse i riu pyet, ndërsa katili urdhëron. Të nesërmen, armiqtë e betuar pinë kafe bashkë. Ideologjia shndërrohet në pallë, parimi në çmim, morali në valutë të zhvlerësuar. Belinda mbron veten me dosje e dybekë tenderash, Rama drejton qeverinë jo nga vizioni, por nga kasaforta, aty ku janë paratë, aty është shteti. AKSH-ja, ministritë, agjencitë: laboratorë të legalizimit të vjedhjes. E populli?
Populli është i zënë duke sharë njëri-tjetrin në rrjete sociale, duke mbrojtur hajdutin e vet si tifoz klubi: “i imi vjedh, po të paktën është i zoti”. Kjo është fitorja më e madhe e katilave: ta kthejnë viktimën në bashkëpunëtor, qytetarin në justifikim, turpin në normalitet. Këta nuk janë thjesht politikanë të këqij. Janë zullumqarë modernë, që nuk kanë nevojë për dhunë fizike, sepse e kanë kapur mendjen. Ata nuk kanë frikë nga drejtësia, sepse drejtësinë e shohin si stacion tranziti, jo si fund rruge. Ata nuk kanë turp, sepse turpi është luks i njerëzve të lirë. Dhe derisa katilat të quhen burra shteti, zullumi reformë, e vjedhja “realpolitikë”, kjo republikë do të mbetet peng i tyre.
Këta nuk janë thjesht politikanë të këqij. Janë zullumqarë modernë, që nuk kanë nevojë për dhunë fizike, sepse e kanë kapur mendjen. Ata nuk kanë frikë nga drejtësia, sepse drejtësinë e shohin si stacion tranziti, jo si fund rruge. Ata nuk kanë turp, sepse turpi është luks i njerëzve të lirë. Dhe kjo republikë do të mbetet peng, jo për aq kohë sa ata sundojnë, por për aq kohë sa ne ende pyesim veten: sa thellë do ta fusim thikën. Por tragjedia më e madhe nuk është tek katilat. Ajo është tek shoqëria që mësohet me ta. Tek qytetari që e sheh padrejtësinë çdo ditë dhe e quan realitet. Tek mendja që, për të mbijetuar, fillon ta justifikojë zullumin. Kur njeriu pranon hajdutin si “më pak të keq”, ai nuk zgjedh më, ai dorëzohet. Këta zullumqarë nuk janë anomali. Janë pasqyrë. Jo sepse populli është i keq, por sepse është i lodhur. Dhe lodhja morale është forma më e rrezikshme e robërisë: ajo nuk të lidh duart, por të mpin ndërgjegjen.







