Ndonëse fletëthirrja i ishte dërguar në 3 adresa, ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK për të dhënë llogari për “21 janarin”
Prokuroria e Posaçme i kishte kërkuar që të paraqitej sot në orën 10:00, për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, raporton Report TV.
Por, sërish me alibinë se nuk e kishte marrë fletëthirrjen Sali Berisha nuk shkoi në SPAK. Burime për Report Tv bëjnë me dije se grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka refuzuar që të tërheqë fletëthirrjen për Sali Berishën që ishtë dërguar në Kuvend, e cila më pas është kthyer në protokoll. Më pas, grupi i PD është njoftuar me email nga Kuvendi për mbërritjen e kësaj shkrese. Ndërsa, Kuvendi ka informuar edhe SPAK se fletëthirrja nuk është tërhequr.
Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës. Por edhe kësaj radhe Berisha injoroi thirrjen dhe nuk u paraqit. Në rast se ai do të refuzojë për herë të tretë që të paraqitet për tu marrë në pyetje për 21 janarin, SPAK ka të drejtë që të urdhërojë shoqërimin e tij me forca policie.








