Shkruan Zef Ndreka
Ky shkrim i zgjeruar mbi librin “Fillimet” të Preç Zogajt, më erdhi ta hedh pas shënimit të Eduard Zaloshnjës i cili vjen si një prej vlerësimeve më të qëndrueshme dhe më të ekuilibruara që i janë bërë memuaristikës shqiptare, sidomos në raport me letërsinë politike amerikane, ku standardet janë tradicionalisht të larta.
Ajo që mbetet thelbësore në vlerësimin e tij është pikërisht fakti se libri “Fillimet” nuk ngrihet mbi rëndësinë politike të autorit, as mbi pushtet, karrierë, poste apo hierarki, por mbi autenticitetin e përvojës së drejtpërdrejtë dhe fuqinë e rrëfimit.
Preç Zogaj ka qenë pranë ngjarjeve të mëdha të viteve ’90 jo thjesht si dëshmitar, por si pjesë e gjallë e lindjes së një epoke të re politike. Mirëpo në “Fillimet”, ai arrin atë që shumë protagonistë të tjerë të tranzicionit nuk e arritën dot ta shkruajë historinë pa e shtrembëruar për të rritur veten, pa zhvendosur fajet, pa kërkuar heroizma të vonuara.

Ky është ndoshta elementi më i vlefshëm që e bën librin të “hajë bukë veç”, siç shprehet Zaloshnja.
Rigoroziteti i Zogajt si kronikan është i rrallë në hapësirën tonë publike. Ai shkruan me një sy që rri pezull mbi situatat, i vëmendshëm ndaj detajit dhe prapaskenës, por edhe me aftësinë për të mos e bërë rrëfimin një gjyq, një apologji, apo një llogari të vonuar. Por ajo që e ngre librin në një nivel krejt tjetër është ndërthurja e këtij rigoroziteti me penën e poetit.
Gjuha e Zogajt nuk është vetëm e qartë dhe dokumentare, ajo mbart brenda nuanca, atmosferë, lëvizje shpirtërore, ngarkesë emocionale, të gjitha këto pa e ngarkuar tekstin, pa e rënduar apo melodramatizuar. Si rrallëkush, ai e sjell atë periudhë jo vetëm si histori, por si përvojë të gjallë njerëzore.
Kjo është arsyeja pse krahasimi me memuarët e Barack Obamës nuk tingëllon aspak i ekzagjeruar. Sigurisht, pesha politike e Obamës është e pakrahasueshme në planin botëror. Por memuaristika nuk matet me peshën e autorit në politikë, por matet me cilësinë e rrëfimit, saktësinë e kujtesës, efektin emocional dhe estetik, ndershmërinë e brendshme, dhe aftësinë për të shpjeguar një epokë përmes syve të një protagonisti që e ka jetuar nga brenda.
Në këtë pikë, Preç Zogaj lë përshtypjen se e ka kapërcyer kufirin e zakonshëm të librave të tranzicionit shqiptar, duke prodhuar një tekst që mund të qëndrojë me dinjitet në traditën më të mirë të memuaristikës politike.
“Fillimet” nuk është vetëm një libër për vitet ’90. Është një libër për mënyrën si lind shpresa, si formësohet kaosi politik, si rriten iluzionet dhe zhgënjimet, si lëvizin njerëzit brenda një realiteti që ndryshon me shpejtësi marramendëse.
Është një libër që nuk përpiqet të na tregojë se si duhej të kishte qenë e shkuara, por se si ishte në të vërtetë, me tensionet, me gabimet, me vizionet e papjekura, me shpirtin e një epoke që dritën e kishte nga e ardhmja, ndërsa errësirën nga e shkuara.
Pikërisht në këtë sinqeritet dhe në këtë aftësi për të përzier kujtesën personale me përgjegjësinë qytetare, pa retorikë dhe pa vetëlavdërim, qëndron vlera e madhe e librit. Dhe po kjo është arsyeja pse “Fillimet” qëndron si një prej veprave më të rëndësishme të memuaristikës politike shqiptare, një libër që çdo lexues i historisë së tranzicionit, por edhe çdo njeri që dëshiron ta kuptojë shpirtin e atyre viteve, duhet ta ketë në bibliotekën e vet.








