Tashmë endja e qytetarëve dhe bizneseve dyerve të gjykatave në kërkim të drejtësisë nuk është më thjesht një perceptim, por e vërtetuar me shifra në raportin e fundit të Këshillit të Evropës.
Sipas raportit, në vitin 2022, gjykatat e shkallës së parë treguan një efikasitet më të lartë se gjykatat e shkallës së dytë. Kohëzgjatja e trajtimit në shkallë të parë i një çështjeje civile rezulton 377 ditë përkundrejt shkallës së dytë me 2272 ditë; trajtimi i çështjeve penale në shkallë të parë rezulton 93 ditë përkundrejt 531 ditë në shkallë të dytë dhe 902 ditë në Gjykatën e Lartë. Zgjidhja e çështjeve administrative në shkallë të parë rezulton në 179 ditë, përkundrejt 8680 ditë në shkallë të dytë dhe 1584 në Gjykatën e Lartë.
Në gjykatat e shkallës së dytë u vu re një kohë e stërgjatur e trajtimit të çështjeve, veçanërisht në çështjet gjyqësore civile dhe tregtare dhe rastet administrative, kjo edhe për shkak të mungesës së gjyqtarëve si pasojë e procesit të vetingut. Drejtësia penale duket të jetë fusha e së drejtës ku të trija instancat janë më të efektshme, ndërsa e drejta administrative mbetet fusha më pak e efektshme. Përmirësimet në dispozicionin kohor janë të dukshme për rastet penale të shkallës së parë dhe të gjykatave administrative të shkallës së parë, si dhe rastet penale të gjykatave të apelit.

Raporti i përqindjes midis çështjeve të zgjidhura përkundrejt atyre të regjistruara zbulon se në gjykatat shqiptare çështjet gjyqësore mbarten përtej afateve të arsyeshme. Më konkretisht:
Për çështjet civile në shkallë të parë 89% e tyre janë zgjidhur, krahasimisht me 99% përqind e mesatares së KiE, por në shkallë të dytë përqindja e tyre bie në 66%. Në shkallë të dytë bie në sy afati i trajtimit që është 2272 ditë përkundrejt 200 ditë e mesatares së KiE. Për Gjykatën e lartë nuk ka të dhëna.
Trajtimi i çështjeve penale rezulton të ketë një përqindje më të afërt me mesataren e KiE (99%), ku rezulton 94% e rasteve të përfunduara në shkallë të parë dhe 85% në shkallë të dytë. Gjykata e Lartë e ka superuar përqindjen e trajtimit të këtyre çështjeve me 193% nga 100% e mesatares së KiE. Megjithatë, afati i trajtimit të çështjes mbetet shumë larg mesatares së KiE. Vetëm në shkallë të parë ky afat është pozitiv në 93 ditë krahasuar me 133 ditë të KiE, ndërsa në gjykatat e apelit afati 531 ditë tejkalon pesëfish 110 ditë të mesatares së KiE. Po kështu, Gjykata e Lartë superon gati nëntëfish afatin 101-ditor të KiE duke rezultuar me 902 ditë për trajtimin e një çështjeje.
Në gjykatat administrative të shkallës së dytë shifrat tregojnë se çështjet kanë krijuar një kapicë të patrajtuar. Konkretisht raporti është 24% nga 103 % i mesatares së Kie dhe afati i trajtimit 8680 ditë për një çështje krahasuar me 215 ditë të Komisionit të Evropës.
Situata në shkallën e parë tregon 93% e çështjeve të zgjidhura nga 98% e mesatares së Komisionit dhe me 179 ditë trajtimi nga 292 e mesatares së KiE. Ndërsa në Gjykatën e Lartë përqindja rezulton të jetë më e lartë 613% përkundrejt 102% të mesatares së KiE, por në afatin 1584 ditë përkundrejt 234 të mesatares së Komisionit Evropian. /ekofin.al
