Raiffeisen Bank duket se aplikon interesat më të larta në treg sa i përket kredive për blerje pronash, ku mbizotëron kredia për blerje shtëpie.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë për janarin 2023, Raiffeisen Bank, e emëruar në tabelë me iniciale “RB”, ka një normë interesi gjithnjë mbi 7.2 për qind për kreditë e ndryshme hipotekore.
Kjo kategori kredish, ka disa nëntipa, si ajo me interesa fikse, të cilën banka në fjalë nuk e ofron.
Ndërkohë kredia hipotekore, me interesa të ndryshueshme, ofrohet nga Raiffeisen me interes plot 7.26 për qind, dhe këtu, vetëm për një kohëzgjatje jo më pak se 241-360 muaj.
Bankat e tjera e ofrojnë këtë produkt, me përqindje më të ulët se Raiffeisen, konkretisht: 4 deri ne 6 për qind.
Nëse shikon normën efektive të interesit, Raiffeisen Bank e ka këtë tregues 7.32 për qind, ndërkohë që për bankat e tjera është më i ulët, mesatarisht 4 deri në 6 për qind.
Nga ana tjetër, një produkt bankar që përdoret shpesh në Shqipëri është kredia konsumatore, për të cilën Raiffeisen Bank sipas tabelës së bankës së Shqipërisë mban rekordin, me një interes prej 15.86 për qind, krahasuar me bankat e tjera të cilat në asnjë rast nuk e kalojnë masën 12 për qind.
Edhe për produktin Overdraft, Raiffeisen Bank aplikon përqindjen prej 7.26 në krahasim me me mesataren e bankave të tjera nga 3-5 për qind.
Interesi i një kredie është shuma shtesë që banka fiton mbi sasinë e parave të ofruara hua per klientin per nje afat te caktuar. Interesi paguhet si ze me vete me kestet mujore pervec pagesave per kthimin e shumes se marre si kredi.