Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo dhe OTP Bank po financojnë krimet e Rusisë në Ukrainë

0

Disa banka ndërkombëtare po vazhdojnë të bëjnë biznes në Rusi, pavarësisht premtimeve për t’u tërhequr nga tregu rus, si pasojë e sulmit të armatosur rus ndaj Ukrainës.
Banka Kombëtare e Ukrainës (BKU) u bëri thirrje bankave të nivelit të dytë, si Raiffeisen Bank International, Intesa Sanpaolo, OTP Bank, ING Bank dhe Credit Agricole, që të ndalojnë së bëri biznes në Rusi dhe Bjellorusi dhe të mbajnë premtimet për t’u larguar nga Rusia.

“BKU ka komunikuar dhe mbajtur vazhdimisht takime me komunitetin financiar ndërkombëtar, duke i bërë thirrje sektorit bankar dhe të sigurimeve të ndalojë së bëri biznes në Rusi dhe Bjellorusi. Thirrje të tilla i janë drejtuar Raiffeisen Bank International, Intesa Sanpaolo, OTP Bank, ING Bank dhe Credit Agricole. BKU është takuar me udhëheqjen dhe aksionarët e këtyre grupeve dhe ka marrë garanci të shumta se ata “vazhdojnë të eksplorojnë të gjitha opsionet strategjike për të ardhmen e biznesit të tyre në Rusi, duke përfshirë mënyrat e daljes nga ky treg”. Njëmbëdhjetë muaj pas luftës, BKU ka rivlerësuar situatën dhe zbuloi se këto grupe nuk kanë bërë asnjë përparim në marrjen e vendimeve përfundimtare për largimin nga tregu rus. Ne e konsiderojmë këtë të papranueshme” – thuhet në një deklaratë të Bankës Kombëtare të Ukrainës.

Por përveç faktit se këto banka s’kanë bërë asgjë për të përmbushur premtimin e tyre për t’u larguar nga Rusia, BKU thotë se ato kanë financuar me kredi preferenciale pjesëmarrësit e drejpërdrejtë në agresionin rus ndaj Ukrainës. Ky fakt- thotë BKU- tregon se bankat kanë vepruar ndryshe nga sa kanë premtuar.

“Lajmi i fundit që u shfaq në domenin publik sugjeron se bankat që janë pjesë e grupeve financiare ndërkombëtare kanë ofruar kushte preferenciale kreditimi për pjesëmarrësit në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”. Kjo vjen si dëshmi më shumë se qëllimet e deklaruara më parë ndryshojnë nga gjendja aktuale e punëve. Këto banka mbeten pjesëmarrëse aktive në tregun bankar të Rusisë dhe po konkurrojnë për të zgjeruar portofolet e tyre të kredisë. Në botimet e tyre, këto banka përdorin hapur emrat LPR (Republika e Pavarur e Luhanskut) dhe DPR (Republika e Pavarur e Donjeckut) – sikur të tregonin vende të pavarura – dhe kështu praktikisht tolerojnë shkeljen e pacipa ruse të ligjit ndërkombëtar”, -vijon deklarata e ashpër e Bankës Kombëtare të Ukrainës.

Banka Qëndrore tha hapur se nëse Raiffeisen Bank International, Intesa Sanpaolo, OTP Bank, ING Bank dhe Credit Agricole do të vazhdojnë të qëndrojnë në Rusi, do të thotë se ata kanë zgjedhur të mbështesin agresorin dhe krimet e luftës që po kryen ai.

“Ne i bëjmë thirrje edhe një herë publikisht menaxhmentit të grupeve bankare ndërkombëtare: dijeni, që duke vendosur të qëndroni në Rusi, ju keni zgjedhur të mbështesni agresorin dhe krimet e tij të luftës. Përveç aspekteve morale, një politikë e tillë bie ndesh me qëndrimet zyrtare të qeverive të vendeve që përfaqësojnë botën e lirë dhe minon mbështetjen në shkallë të gjerë që njerëzit nga këto vende u kanë dhënë ukrainasve. Në këtë drejtim, përpjekjet për të realizuar fitime në shtetin agresor paraqesin rreziqe të konsiderueshme për veprimtarinë e këtyre institucioneve në juridiksionet e tyre kryesore. Prandaj BKU do të kërkojë që qeveritë dhe rregullatorët përkatës të fillojnë një përgjigje të përshtatshme ndaj veprimeve të sipërpërmendura të grupeve financiare ndërkombëtare” -thuhet në një prej deklaratave më të forta të nxjerra nga kjo bankë që nga nisja e luftës.

BKU u kujton gjithashtu këtyre bankave se ata po bëjnë biznes me një shtet terrorist, që i ka duart e mbulura me gjakun e mijëra ukrainasve të vrarë dhe u këkroi të zgjedhin mes fitimeve dhe dinjitetit.

“Çdo ditë ne përmbledhim humbjet e tmerrshme që ka shkaktuar lufta në vendin tonë. Çdo mëngjes, ne mbajmë një moment heshtjeje për të nderuar të rënët tanë. Ndërkohë, bizneset që vazhdojnë të operojnë në Rusi po përmbledhin fitimet e tyre. Është koha që bankat ndërkombëtare të ndjekin më në fund premtimet vendimtare që bënë gati një vit më parë dhe të dalin nga tregu i Rusisë, një vend që i ka duart e mbuluara me gjakun e Ukrainës deri në bërryla. Për kompanitë e njohura evropiane, të kesh ndonjë lidhje me ekonominë e shtetit terrorist është toksike. Lufta është një kohë për të zgjedhur midis përfitimeve dhe dinjitetit”, tha Guvernatori i BKU, Andriy Pyshnyy.

Banka Kombëtare e Ukrainës, në thirrjen drejtuar këtyre bankave, u kujtoi atyre se po financojnë drejtpërdrejtë krimet ruse të luftës dhe gjenocidin.

“Si një ekip që mbron interesat e Ukrainës, ne qëndrojmë të bashkuar për këtë çështje dhe mbështesim qëndrimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba, i cili e ka bërë të qartë se “kompanitë ndërkombëtare që vazhdojnë të punojnë në Rusi po financojnë drejtpërdrejt krimet ruse të luftës dhe gjenocidin ndaj ukrainasve.”

BKU tha se në kryerjen e aktiviteteve ndërkombëtare ajo i jep përparësi shtrëngimit të sanksioneve dhe presionit të jashtëm mbi ekonominë e agresorit. Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe aleatit të saj Bjellorusi nga vendet pjesëmarrëse në koalicionin e sanksioneve kanë qenë të paprecedentë, falë pozicionit proaktiv të Ukrainës. Ndërsa lufta po vazhdon, BKU tha se po vazhdon të kërkojë mënyra të reja për të rritur presionin e sanksioneve ndaj agresorit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Deklarata ndaj Raiffeisen Bank International, Intesa Sanpaolo, OTP Bank, ING Bank dhe Credit Agricole vjen në një kohë kur Rusia i ka intenifikuar bombardimet mbi Ukrainën, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë parashikojnë se një përplasje edhe më e madhe mes Rusië dhe Perëndimit duket më e afërt se kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu