Ka plot 6 vjet që banorët e Tiranës paguajnë nga xhepi i tyre miliona euro për ndërtimin e një inceneratori që parashikohej t’i jepte fund problemit të trajtimit të mbetjeve në kryeqytet.
6 vjet nga firmosja e kontratës, inceneratori nuk duket gjëkundi. Në Sharrë bëhet vetëm inkapsulimi i mbetjeve, ose thënë thjesht, groposja e tyre.
Procesi i djegies, për të cilën qytetarët e Tiranës paguajnë pjesën më të madhe, nuk kryhet. Paratë merren dhe kalojnë pas asnjë firo në xhepat e shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” e Klodian Zotos, i cili është në arrati.
SA PAGUAJNË QYTETARËT E TIRANËS DHE SA DUHET TË PAGUANIN?
Sipas kontratës mes kompanisë së inceneratorit dhe Ministrisë së Mjedisit, “çmim për Ton Mbetje Urbane” është çmimi prej 29 EUR (njëzet e nëntë euro) për ton mbetje, pa TVSH, i pagueshëm nga Njësië Vendore të Qarkut Tiranë në favor të Koncesionarit.
Me TVSH kjo vlerë shkon në 34.8 euro për ton mbetje.
Por në kushtet kur impianti i incenerimit të mbetjeve nuk ekziston, procesi i groposjes së mbetjeve kushton vetëm 12 euro. 17 euro të tjera shkojnë tek kompania “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SHPK” e Klodian Zotos, pa bërë asnjë punë.
Në landfillin e Sharrës depozitohen çdo ditë afro 1 mijë ton mbetje urbane. Afro 800 ton janë të qarkut të Tirans dhe mbi 200 tonë janë të Durrësit, që i depoziton aty mbetjet pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos.
Në total kompania e inceneratorit merr cdo ditë rreth 35 mijë euro. Nga këto, 12 mijë janë për groposjen. 23 mijë euro, që paguhen për diegien, i merr kompania pa bërë asnjë punë, pasi impianti i djegies nuk ekziston.
Pasqyra e pagesave të thesarit, nga janari 2019 deri në prill të vititi 2023 tregojnë se, kompania e inceneratorit “INTEGRATED ENERGY BV SPV” ka marrë mbi 5.3 miliardë lekë. Më shumë se gjysma e saj, afro 3 miliardë lekë, janë për punë të pakryera, siç është proçesi i djegies.
SI E MBROJNË VELIAJ E RAMA INCENERATORIN E TIRANËS
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është akuzuar vazhdimisht si njeriu që ka përgjegjësinë direkte për aferën e inceneratorit të Tiranës. Komisioni hetimor i ngritur nga parlamenti me kërkesë të PD nxorri një dokument, në të cilin rezulton se ai kishte firmosur për llogari të Këshillit Bashkiak.
Por Veliaj mbrohet duke thënë se pa inceneratorin Tirana nuk do të ishte kaq e pastër.
“Sot qytetarëve të Tiranës u intereson vetëm një gjë, a është Tirana më e pastër seç ishte dhe a paguajnë më pak se sa me planin e Ilir Metës dhe Sali Berishës? Përgjigjja për të dy këto pyetje, edhe nga kritikët më të mëdhenj, është PO, sepse provohet që qyteti është më i pastër dhe provohet që paguajmë më pak sesa ai propozimi i mëparshëm, për të cilin sot vajtojnë ata që e menaxhonin Tiranën dhe e lanë zhul” – deklaronte Veliaj në prill të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama ka të njëjtën tezë mbrojtjeje.
“Pra, çfarë do me thënë kjo: Atje s’kishte incenerator? Sepse ai është një projekt në vazhdim, nuk është një projekt i përfunduar, por ndërkohë në atë zonë mblidhen të gjitha mbetjet dhe përpunohen të gjitha mbetjet e nuk ka tym, e nuk ka zjarr e nuk ka helme e nuk ka asgjë.
Si nuk ka, çfarë nuk ka, a ka shërbim apo s’ka shërbim? A ka mbledhje mbetjesh apo s’ka mbledhje mbetjesh? A është Tirana sot një nga qytetet më të pastra, në Shqipëri nuk diskutohet, por a e shikoni që të gjithë e vlerësojnë Tiranën për pastërtinë e saj? A u kujtohet Tirana si ka qenë që ecnim mes plehrave. Po si ndodh e gjitha kjo, ku shkojnë këto plehra? Po ku shkonin më përpara? A shkonin në të njëjtin vend dhe pastaj Kombinati i gjithi i zhytur në blozë mushkërish. Ja pra, dhe si u bë kjo, me se u bë kjo?”, deklaronte Rama në një komunikim oline me qytetarët në vitin 2022.
AFATI I PUNIMEVE
Koncesioni i inceneratorit të Tiranës ka një afat 30-vjeçar. Kontrata e Koncesionit ka të përcaktuarë edhe afatet e punimeve. Afatet janë të detajuar anë aneksin IV të saj. Por ky aneks nuk gjendet në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve.
Megjithatë Zoom.al ka siguruar disa të dhëna të këtij aneksi.
Në vitin e 3-të të kontratës duhet të kishte përfunduar impianti i parë që prodhon energjinë elektrike.
Në vitin e 4-t të kontratës duhet të ishte rritur kapaciteti për incenerimin.
Në vitin e 5-të duhet të ishte vënë në operim impianti i tretë.
Në vitin e 6-të duhet të ishte vënë në operim impianti i katërt.
Punimet për të gjithë inceneratorin, sipas afateve të përcaktuara në kontratën koncesionare, duhet të përfundonin në gusht të 2023, pra pas 1 muaj.
Deri tani, asnjë nga këto afate nuk është respektuar. Megjithatë kompania nuk ka marrë penalitete. Për më tepër ajo vazhdon të paguhet sikur i djeg mbetjet, duke marrë 17 euro për ton për punë të pakryera.
HETIMET KANË NGECUR NË SPAK
Dosja e Inceneratorit të Tiranës është në SPAK. Partia Demokratike e kallëzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, në tetor të vitit 2020. Po mbushen 3 vjet dhe SPAK nuk ka kryer asnjë veprim mbi këtë çështje.
Opozita i ka kërkuar vazhdimisht SPAK të ndalojë pagesat për kompaninë, për të mos e rënduar më tej buxhetin e shtetit. Deri tani Prokuroria e Posaçme ka kryer arrestime për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, duke çuar pas hekurave ish -ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish -deputetin e PS, Alqi Bllakon. Po sot SPAK i kërkoi Parlamentit të lejojë arrestimin e ish -ministrit të Financave dhe ish -kryeministrit Arben Ahmetajn.
Për Tiranën, drejtuesit e SPAK kanë pranuar se çështja është nën hetim, por deri tani nuk ka asnjë urdhër-arrest.