Anëtarja e Këshillit Bashkiak në Shkodër, Eliona Kodra Shkreli ka ardhur me një reagim të fortë lidhur me ngjarjet e fundit po që po trondisin vendin tonë si dhe për premtimet e pambajtura të qeverisë Rama.
Në llogarinë e saj në “Facebook”, Shkreli shkruan se të gjitha premtimet e qeverisë nuk janë gjë tjetër veçse premtime dhe se “arritjet e tyre” nja propagandë e dështuar pasi realiteti tregon një tjetër të vërtetë të trishtë.
Demokratja ka listuar një për një të gjitha dështimet e qeverisë Rama, duke filluar nga shfrytëzimi i punonjësve të administratës dhe deri te ajo e Policisë së Shtetit.
Shkreli thotë se teksa vendimet për pagat e administratës shtetërore nuk respektohen, ministrat dhe zyrtarët e lartë “zhyten” në luks.
“Qeveria krekoset për rritje të buxhetit për pagat e vartësve të saj, por në fakt gjithçka është një propagandë e dështuar dhe e shëmtuar mediatike, pasi realiteti është krejt ndryshe.
Pasi i shfrytëzon në maksimum punonjësit e administratës shtetërore, nuk u jep atyre ato ç’ka premton publikisht. Një qeveri që nuk respekton vendimet që vetë i merr e ndërkohë ministrat dhe zyrtarët e lartë ‘zhyten’ në luks që kalon edhe kufinjtë e shfrenimit”, shkruan Shkreli, duke shtuar më tej se krimi në vendin tonë është në rritje dhe bandat kriminale po operojnë lehtësisht në qytetet e Shqipërisë.
“Krimi në vënd po njeh rritje, bandat nuk marrin më parasysh nëse është ditë apo natë, nëse ka kalimtarë apo jo. Arma shkrepet pa mëshirë dhe larja e hesapeve sot nuk kursen as të pafajshëm. Tashmë edhe të miturit vrasin sepse shkolla është kthyer në një institucion ku ‘ligjin’ e bëjnë nxënësit ndërsa mësuesit janë thjesht zbatues reformash të ministrave të paaftë që mësuesit i kanë hequr çdo tagër edukativ dhe disiplinor duke e kthyer në një robot mësimdhënës”, thotë ajo.
Ndërkohë, në vijim është ndalur dhe te dorëzimi i Policisë së Shtetit përballë krimit. Në postimin e saj Shkreli ngre pyetjen se si mund të luftohet krimi nga uniformat blu, kur vetë ky shtet nuk ia paguan orët shtesë prej muajsh dhe asnjë prej premtimeve e bëra ndaj tyre nuk është mbajtur!?
“Policia e shtetit është dorëzuar përballë krimit….E si mund të luftohet krimi kur uniformave blu ky shtet fasadë nuk i paguan orët shtesë që nga muaji gusht?
Gjithashtu kjo qeveri e premtimeve të pambajtura nuk paguan as orët e natës për efektivët e policisë ndonëse ka marrë një vendim që për orët të natës (22.00-06.00) t’i paguajë efektivëve 50% të pagës, ndërsa për oraret e pasdites (19.00-22.00) t’i paguajë shtesë 20% të pagës mujore.
A mund të luftohet krimi me punonjës policie që përdhosen nga shefat e tyre dhe nuk marrin shpërblimin e premtuar nga qeveria?
Sektori më i keqtrajtuar dhe më i keqpërdorur nga kjo qeveri është policia e shtetit e cila jo vetëm që nuk paguhet në bazë të vendimeve që merr por shfrytëzohet si patericë e qeverisë sipas interesave të saj”, përfundon reagimin e saj anëtarja e Këshillit Bashkiak në Shkodër.