Shkruan Agron Haxhimali
Sa herë që diskutohet reforma territoriale-administrative në Shqipëri debati rrëshqet pothuajse automatikisht në një pyetje të thjeshtuar: a janë shumë apo pak bashkitë? Ky reduktim i debatit në aritmetikë është jo vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm, sepse e largon vëmendjen nga thelbi i reformës: çfarë modeli qeverisjeje i shërben më mirë realitetit shqiptar.
Një vështrim krahasues mbi vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet kandidate, bazuar në logjikën e portalit të Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), tregon qartë se nuk ekziston një “numër ideal” njësish të qeverisjes vendore. Evropa është një mozaik modelesh territoriale, të ndërtuara mbi histori, gjeografi, demografi dhe tradita të ndryshme të vetëqeverisjes. Në njërin ekstrem qëndrojnë vende me fragmentim shumë të lartë lokal, si Franca, Çekia, Sllovakia apo Hungaria, me mijëra komuna shumë të vogla. Këto modele garantojnë një demokraci shumë afër qytetarit, por funksionojnë vetëm sepse mbështeten në bashkëpunim ndërkomunal të detyrueshëm, struktura rajonale funksionale dhe kapacitete shtetërore të konsoliduara.
Në anën tjetër, vendet nordike si Danimarka, Suedia apo Holanda kanë zgjedhur konsolidimin territorial, me pak bashki, por me autonomi shumë të lartë financiare dhe administrative. Ky model sjell eficiencë, por edhe një distancë më të madhe mes qytetarit dhe vendimmarrjes lokale. Midis këtyre dy poleve ekzistojnë modele të balancuara, si Polonia, Italia, Spanja apo Rumania, ku numri i njësive vendore kombinohet me rajone funksionale dhe një decentralizim real të pushtetit. Ajo që i bashkon të gjitha këto modele nuk është numri i bashkive, por koherenca e sistemit territorial, administrativ dhe financiar. Një tregues tjetër domethënës që tregon pse debati nuk duhet reduktuar në numrin formal të bashkive është madhësia mesatare e popullsisë për njësi të qeverisjes vendore. Në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, mesatarja llogaritet afërsisht në rreth 6,000 banorë për njësi vendore.
Kjo mesatare pasqyron modele shumë të ndryshme territoriale – nga komunat shumë të vogla në Francë apo Çeki, te bashkitë më të mëdha në vendet nordike – por me një element të përbashkët: afërsinë e qeverisjes me qytetarin. Në Shqipëri, me 61 bashki dhe rreth 2.4 milionë banorë, mesatarja shkon në afërsisht 40,000 banorë për bashki, pra gati shtatë herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Kjo diferencë nuk është thjesht statistikore; ajo ka pasoja reale në përfaqësim, akses në shërbime dhe funksionimin e demokracisë lokale. Një njësi vendore me 40,000 banorë, shpesh e shtrirë në territore të mëdha dhe të fragmentuara, e ka objektivisht më të vështirë të jetë afër qytetarit, sidomos në zonat rurale dhe periferike. Në këtë panoramë krahasuese, Shqipëria pozicionohet ndër vendet më të konsoliduara territorialisht në Evropë, sidomos në raport me popullsinë dhe sipërfaqen.
Paradoksi është se, ndonëse ka pak bashki dhe bashki me popullsi të madhe, Shqipëria mbetet një nga vendet më të centralizuara në praktikë, me varësi të lartë nga qeveria qendrore dhe autonomi të kufizuar vendore. Pikërisht për këtë arsye, modeli shqiptar përshkruhet shpesh si “centralisht të varura”. Kjo tregon qartë se problemi nuk është as numri i bashkive dhe as masa e popullsisë që ato mbulojnë. Problemi është modeli. Parimisht, një vend mund të ketë pak njësi vendore dhe sistemi të funksionojë mirë, nëse ekziston decentralizim real, autonomi financiare dhe administratë profesionale. Po ashtu, një vend mund të ketë shumë njësi vendore dhe sistemi të mos funksionojë, nëse mungojnë kapacitetet dhe koherenca institucionale.
Për këtë arsye, çdo përpjekje për të justifikuar një reformë të re territoriale përmes krahasimeve mekanike numerike me vende të tjera evropiane është e gabuar. Krahasimet e thjeshtuara prodhojnë zgjidhje të gabuara. Ajo që funksionon në Francë, Danimarkë apo Sllovaki nuk transplantohet automatikisht në Shqipëri. Thelbi i reformës territoriale nuk është numri i njësive të qeverisjes vendore, por përshtatshmëria kombëtare: -Çfarë modeli u shërben më mirë qyteteve dhe fshatrave shqiptare? -Si forcohet demokracia lokale? -Si rritet autonomia financiare dhe përgjegjshmëria? -Si adresohen shpopullimi dhe pabarazitë territoriale? Reforma territoriale duhet të jetë reformë e sistemit, jo reformë e hartës. Dhe kjo kërkon më shumë reflektim e më pak numra, më shumë analiza funksionale e më pak paralelizma të thjeshtuar dhe mbi të gjitha, një vizion që nis jo nga pyetja “sa bashki?”, por nga pyetja “çfarë modeli u shërben më mirë shqiptarëve, kudo që jetojnë”?







