Kreu i PD, në një konferencë për median, u shpreh se ka në dorë të dhëna tronditëse të nxjerra nga ajo që ai e quajti “laptopi i Lubisë”, duke akuzuar ministren Belinda Balluku për përdorimin e administratës shtetërore si polici elektorale në zgjedhje.
Berisha tha se, të dhënat përfshijnë emra konkretë të punonjësve në institucione publike, të cilët, sipas tij, janë përdorur si “terroristë elektoralë” për llogari të pushtetit. Ai theksoi se ndërhyrja politike në administratë është bërë masive dhe ka goditur rëndë ekonominë, eksportet dhe industrinë, për shkak të dominimit të “narkoeuros” dhe lidhjeve të qeverisë me kartelet e drogës.
“Ju e keni parasysh, këto ditë paraqita para jush miliona metër katrorë ndërtime të dhëna me firmën e Edi Ramës dhe Adelajda Rrokës për kartelet e drogës.
Adelajda është drejtoresha e përgjithshme e zyrës kombëtare të urbanistikës, motra e dy Rrokove, lejtnantë kryesorë të Suel Çelës.
Adelajda në njëfarë mënyrë është Ergys Agasi me pantallona.
Por Adelajda nuk është pa lidhje me familjen Rama.
U bëj thirrje medieve me guxim të ndriçojnë këto të vërteta tragjike për shqiptarët.
Po, iu bëj thirrje medieve të pyesin veten si ka mundësi të bien eksportet nga një vit në një tjetër me 30 përqind në një vend me ekonomik tregu dhe pas kovidit?
Si mund të ndodhë? Shumë thjeshtë. Narkoeuro. Zhvlerësimi i monedhës evropiane nga narkoeurot në Shqipëri, shkatërroi dhe falimentoi me qindra dhe mijëra ndërmarrje eksporti.
U bëj thirrje medieve të ndalen pse bie nga viti në vit prodhimi industrial. Si ka mundësi?
Por mos harroni se eksportet dhe prodhimi industrial janë dy gjeneratorët kryesorë të punësimit.
Ato bien prej narkoeuros.
Ato bien sepse ndërtimi është shndërruar në shtyllë kryesore ku trafikantët me në krye kreun e organizatës kriminale kanë gjetur parajsën.
Bëra këtë hyrjen, e lidhur fund e krye me zgjedhjet, sepse narkozyrtarët, zyrtarët e narkoshtetit, mijëra e mijëra prej tyre, janë shndërruar në polici politike të votës së shqiptarëve.
Ne disponojmë regjistrat e dhjetëra mijëra mercenarëve që marrin rrogat nga taksapaguesit e qytetarëve dhe bëjnë policin elektoral. Bëjnë patronazhistin. Kryejnë krimin e shëmtuar.
Ata janë masivisht zyrtarë të administratës, janë zyrtarë të institucioneve të ashtuquajtura të pavarura, janë në polici, gjykata, prokurori, janë në ndërmarrjet publike.
Laptopi i Lubisë në Fier është sjellë si shembull këtu.
Çfarë paraqet?
Këtu janë të dhënat ku punojnë terroristët elektoralë që i përdori Lubi Balluku për zgjedhjet.
Vazhdo, urdhëroni. Pozicioni ku punojnë. Shef shërbimi, laborante, infermiere, arkëtar provizor, specialist i lartë…
Vazhdojmë…
Drejtor kabineti, kryespecialist, përgjegjës sektori. Përgjegjës operativ.
Shikoni se si edhe sanitarë mund të gjeni këtu, se si Lubi Balluku në mënyrë kriminale e shndërroi të gjithë administratën shtetërore në Fier në polici politike”, u shpreh Berisha.