Publikohen të dhënat e Censit të popullsisë: Në Shqipëri 2.4 milionë banorë!

0

Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e Censin 2023 të Popullsisë dhe Banesave. Në bazë të të dhënave në Shqipëri rezultojnë 2.412.113 banorë, konkretisht 755 mijë familje, me madhësi 3.2 anëtarë.

Popullsia e vendit nga viti 2011 ka rënë me 409,831 banorë ose afro 17%.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, teksa ka prezantuar rezultatet u shpreh se censi u arrit të realizohet pas disa sfidave që vendi kaloi.

Gjithashtu Dhuli theksoi se Censi është realizuar me mbështetjen edhe të partnerëve duke bërë që të arrihej më të gjitha standardet ndërkombëtare.

“Ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme. Sot, kemi kënaqësinë të prezantojmë në detaje informacionet që lidhen me këtë proces, duke treguar në të njejtën kohë, se ky cens ka arritur qëllimin për të cilin u krye, ka justifikuar investimet afatgjata, mbështetjen financiare, nevojën e përdoruesve.

Por, nuk do të mjaftohemi me rezultatet që do të ndahen me ju sot, pasi puna dhe angazhimi ynë do të vijojë për sigurimin e informacioneve të detajuara, në nivel qarku, bashkie apo njësie më të vogël gjeografike. Analiza dhe studime tematike do të kryhen për fusha të ndryshme të jetës. Këto analiza do të jenë për përdoruesit një burim informacioni për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, më të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë shoqërinë.

Të dhënat, janë një e mirë publike, dhe ju ofrohen hartuesve të politikave, vendimarrëseve, studiuesve, bizneseve, për ti përdorur për planifikimin zhvillimor, analizën e dukurive demografike, sociale, ekonomike dhe mjedisore, marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe zbatimin e tyre në praktikë në dobi të shoqërisë sonë.
Në emër të INSTAT dhe Ekipit të cens, falenderoj qytetarët për kontributin e tyre në përfundimin me sukses të këtij procesi, duke dhënë informacion për veten dhe familjarët e tyre.“- tha Elsa Dhuli, drejtoreshë e Insitutit të Stastikave.

Ndërkohë ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, i ka quajtur të dhënat të cilat dalin nga procesi i Censit, thelbësore për procesin e integrimit.

Në fjalën e tij në një aktivitet që po mbahet me qëllim publikimin e të dhënave, Gonzato u shpreh se informacioni i saktë i dalë nga ky proces, ka rëndësi pasi në bazë të tyre, për venet të cilat janë tashmë anëtare të Unionit, përcaktohet numri i votave në institucionet e BE dhe kontributet financiare,

“Censi siguron të dhëna mbi të cilat ndërtohen politikat. Censi është i rëndësishëm edhe në kontekstin e bisedimeve në integrimin në BE. Informacioni i saktë dhe i besueshëm është thjeshtë thelbësor. Informacioni përcakton numrin e votave të vendeve anëtare në institucione dhe kontribuitet financiare që do të jepen”, u shpreh ai.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu