Shkrua Arbër Zaimi
Unë nuk e di se a duhet apo jo të takohen Kurti e Rama, e në cilin moment, por e di se s’është fort e arsyeshme të pranohet takim me dikë që para pak ditësh ka dërguar befasisht draft për Zajednicën në Paris e Berlin, teksa Kosova është e përfshirë në një betejë pikërisht për t’i shpëtuar asaj që aktualisht po ndodh në Bosnjë.
E di se është vështirë të takohesh me dikë që para pak ditësh propozoi konferencë alla Dayton për Kosovën. Konferencat e tilla bëhen kur nuk ka marrëveshje, ndërsa Kosova ka marrëveshje me Serbinë. Është marrëveshja bazike e 27 shkurtit 2023 e arritur në Bruksel, ku Bashkimi Evropian zyrtarisht garantoi se ka marrëveshje.
Lexo edhe: Kronologjia/ Pse po ia mbyllin derën Ramës në Prishtinë
As Borrell e Lajcak, që janë lehtësues zyrtarë të dialogut e ndonjëherë veprojnë si ndërmjetësues, nuk propozojnë drafte e konferenca, por përpiqen të gjejnë udhën drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese. Pse pra duhet ta bëjë këtë gjë Rama, i cili ndërmjetësues mes Kosovës e Serbisë nuk mund të jetë, për sa kohë që zyrtarisht e identitarisht është shqiptar deshi apo nuk deshi.
Është e qartë se Vuçiçit nuk i intereson fare ajo marrëveshje dhe i ka rënë pishman. Është e qartë se Vuçiçi do drafte e konferenca të reja. Por Shqipëria dhe km. i Shqipërisë nuk ka pse flet gjërat që i interesojnë Vuçiçit.
Qeveria e Shqipërisë duhet të rikthejë linjën e saj kombëtare diplomatike në raport me Kosovën, që do të thotë:
– të mbështesë aktivisht kërkesën e Kosovës për largimin e masave të padrejta.
– të kërkojë nga Serbia përgjegjësi për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel.
– të mos i bëjë befasi Kosovës.
Nëse shqiptarët do të jenë bashkë në rrugën e drejtësisë, e drejta do të ketë më shumë gjasa të triumfojë.