Prodhimi i municioneve për Ukrainën, ambasadori Shkurov: Jemi në bisedime me Shqipërinë, na duhen më shumë armë

0

Ambasadori i Ukrainës Volodymyr Shkurov ka dhënë një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ ku ka folur lidhur me vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Tiranë dhe për kërkesën që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit të prodhojnë municione për t’i ardhur në ndihmë Kievit.

Shkurov e cilësoi vizitën e Zelenskyt në Tiranë si tepër të mirë dhe të mirëorganizuar, duke e vlerësuar si arritje nënshkrimin e deklaratës së përbashkët nga liderët e vendeve të Europës Juglindore.

“Ishte vizita e parë e këtij niveli. Vizita shkoi mirë. Për këtë flasin dhe shkruajnë të gjithë si në Shqipëri, Ukrainë, por edhe në vendet e tjera. U zhvilluan bisedime dypalëshe me Presidentin Zelensky dhe kryeministrin Edi Rama, qoftë me formatin tet a tet por edhe në kuadër të delegacioneve. U nënshkrua marrëveshja bazë për miqësi dhe bashkëpunim. U mbajt Samiti në Tiranë dhe u zhvillua shumë mirë. Pjesëmarrësit miratuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës. Dhe vlerësimet që kemi marrë kanë qenë shumë pozitive”, tha Shkurov.

Sa i takon mundësisë që Shqipëria të prodhojë fishekë dhe municione për Ukrainën, ambasadori tha se duhet bërë një punë tejet profesionale për këtë por nënvizoi se më së pari duhet të ketë parapërgatitje para se të bëhet hapi i parë për nisjen e prodhimit të municionit.

“Është një çështje shumë e rëndësishme për Ukrainën sepse lufta po vazhdon. Ukraina bën apelin ndaj partnerëve ndërkombëtarë me të cilët ka dakordësi paraprake dhe kryesisht është furnizimi i Ukrainës me armë pa vonesa gjë që në mënyrë objektive mund të vështirësojë rezistencën ndaj agresorit rus. Sot Ukraina ka 500 ndërmarrje mbrojtëse, kemi kontrata me prodhuesit kryesorë të armëve të dronëve me Gjermaninë, Turqinë, por Ukraina vazhdon këtë dialog me partnerët tanë, këtu duke përfshirë edhe Shqipërinë. Është një çështje interesante dhe me perspektivë, por siç e kuptoni nevojitet punë profesionale, është e nevojshme që gjithçka të përpunohet para se të bëhet hapi i radhës”, shtoi ambasadori.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu