Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka folur sërish publikisht për legalizimin e kokainës, një lëvizje që ai e ka bërë shumë herë në të kaluarën.
Këtë herë, i pari i vendit të Amerikës Latine, në mes të një mbledhjeje urgjente të kabinetit, foli për procesin e legalizimit të drogës më të përhapur në planet.
Konkretisht, Petro vuri në dukje se kokaina nuk legalizohet sepse “prodhohet në Amerikën Latine” dhe vazhdoi duke e krahasuar drogën me alkoolin, duke theksuar se “kokaina nuk bën më shumë dëm se uiski”.
Petro, presidenti i parë i Kolumbisë që vjen nga qendra e majtë, në fjalimin e tij të parë si President deklaroi se lufta kundër drogës ka humbur dhe njoftoi një sërë masash për rritjen e kultivimit të bimës së kokainës.
Sipas presidentit të vendit, kultivimi ka të bëjë me më shumë se 110 mijë familje fermere, të cilat janë stigmatizuar pa nevojë, pasi gjethet e bimës nga e cila prodhohet droga përdoren edhe për prodhimin e plehrave bujqësore.
Politika e Presidentit socialist të vendit, megjithatë, bazuar në të dhënat zyrtare të agjencisë së kontrollit të drogës të OKB-së, ka sjellë një rritje prej 10% të prodhimit të kokainës në një vit, ndërkohë që vetëm në vitin 2023 në vend janë kultivuar 25300 kilometra katrorë, 230 më shumë se në vitin 2022.
Petro thotë se pas “persekutimit” të kokainës në mbarë botën nuk qëndrojnë mafiozët dhe grupet kriminale, por vetë Shtetet e Bashkuara, me të cilat vendi i tij tashmë është në një debat serioz për vendosjen e tarifave në mes të luftës tregtare që Donald Trump ka nisur me kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.