Prej dy vitesh Kuvendi i Shqipërisë refuzon të fut në agjendë draftrezolutën për gjenocidin në Kosovë

0

Një rezolutë për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë qe propozuar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë dy vjet më parë. Por, zyrtarë të Partisë Demokratike, që e patën iniciuar miratimin e këtij dokumenti, thonë se ai nuk u përfshi asnjëherë në agjendë shkaku i refuzimit nga Partia Socialiste

Ka mbetur vetëm në tentativë miratimi i një draft-rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet së cilës do të njihej gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë, ngjashëm si me atë që një ditë më parë u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për Srebrenicën.

Janë bërë dy vjet qëkur Partia Demokratike e pati deponuar këtë draftrezolutë, porse prej atëherë asnjëherë nuk është përfshirë në agjendë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se rezoluta e deponuar më 31 maj të 2022-s nuk gjeti mbështetje edhe tek mazhoranca shqiptare.

“Draftrezoluta, edhe pse është ngritur si shqetësim disa herë nga ana jonë, nuk është përfshirë në proces parlamentar të shqyrtimit dhe votimit nga Kuvendi, për shkak të vullnetit refuzues nga ana e mazhorancës. Për fat të keq, nuk ka pasur asnjë përparim në drejtim të miratimit të saj dhe nuk na rezulton të ketë asnjë komunikim me Kuvendin e Kosovës mbi këtë çështje”, tha ai.

Në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ofruan sqarime lidhur me këtë rezolutë.

Në dokumentin, që mban firmën e 11 deputetëve, dënohen krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, si dhe kërkohet shpallja e 15 janarit si ditë e përkujtimit të masakrës së Reçakut.

Ky ka qenë dokumenti i dytë i propozuar në maj të 2022-s, pas asaj për masakrën serbe në Srebrenicë, që ishte refuzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Derisa Shqipëria nuk i dënoi me rezolutë krimet e Serbisë, të enjten Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi një të tillë për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda e përcakton 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra e djem myslimanë në Srebrenicë.

Megjithëkëtë, organi ligjvënës i Shqipërisë në tetor të vitit të kaluar e miratoi një rezolutë për Kosovën me të cilën dënohej sulmi terrorist i grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit.

Kërkesa që Kuvendi të kishte vetëm një dokument përmes të cilit do të shprehej uniteti i politikës shqiptare karshi çështjes së Kosovës bëri që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste të dakordohen rreth një drafti.

Rezoluta e miratuar u kërkon institucioneve të Shqipërisë që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu