Po, zgjedhjet ishin të turpshme

0

Shkruan Enton Abilekaj

Po, zgjedhjet ishin të turpshme.
Po, vëzhguesit e huaj konstatuan aq shumë shkelje sa nuk mund ta thonin që ishin zgjedhje të lira dhe të ndershme

Po, Edi Rama bëri sikur nuk e kishte parë raportin paraprak të OSBE- ODIHR sepse nuk kishte çfarë të komentonte.

Po, mekanizmi perfekt Pushtet-Krim-Biznes e nxorri rezultatin si e kishte paracaktuar Edi Rama
Po, Shteti, me Gjykatat, Prokurorinë dhe Policinë, ishte në shërbim të zellshëm për të garantuar rezultatin e parcaktuar nga Kryeministri.

Po, shumica dërrmuese e qytetarëve që votojnë opozitën nuk votuan të lirë.

Berisha ka të drejtë në konstatimet që bëri, por fakti është që sot ka 54 bashki të Edi Ramës dhe 7 bashki të opozitës. Përpara këtyre zgjedhjeve, opozita kishte një qendër qarku, të rëndësishme dhe historike, si Shkodra, sot ka vetëm bashki të dorës së dytë, me buxhete të papërfillshme dhe, si rrjedhim totalisht të varura nga fondet qeveritare.

Berisha ka të drejtë, por sot njerëzit janë më pesimistë se përpara 14 majit, sot janë më të bindur se kurrë që pushteti personal i Edi Ramës nuk mund të ndalet së instaluari nga kjo opozitë.
Berisha ka të drejtë për çdo gjë që tha në konferencë shtypi, përveç asaj që tha për përgjegjësinë e tij dhe të Koalicionit.

Është dita për të thënë të vërtetën, që opozita, kështu siç është nuk mund t’i bëjë ballë një regjimi në instalim, që ende nuk e ka arritur kulmin. Është dita për të thënë të vërtetën që dy partitë e mëdha të opozitës, janë makineri të ndryshkura dhe të konsumuara për tu përballur me makinerinë moderne dhe luksoze të një pushteti hibrid, ku krimi dhe biznesi janë dy themelet më të forta.

Është dita për të thënë që opozita aktuale nuk i frymëzoi dot shqiptarët të bënin një revolucion të heshtur me votën e tyre dhe nuk mund t’i frymëzojë për të bërë një revolucion “paqësor” dhe as luftarak për të rrëzuar pushtetin totalitar. Ndërsa rezultati i zgjedhjeve i frymëzoi për tu larguar me vrap nga një vend i pashpresë.
është dita për të mbledhur të gjitha forcat e pakta që i kanë mbetur shoqërisë, që të provojë për herë të fundit ta ndalojë revanshin e pushtetit, përpara se diktati të bëhet i pakthyeshëm dhe demokracia, sado e brishtë, e tranzicionit një kujtim i bukur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu