Po për shitblerje dosjesh në SPAK, a di gjë Amerika?!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Edi Rama po i shet të gjithë tek Altin Dumani për dy qëllime madhore, flitet gjithandej nëpër kancelaritë e rrjeteve sociale të fshatit tonë;

1-  Për mbarështimin e tufës së gomarëve që kullosin për shtatë palë qejfe nëpër të mbjellat e fshatit, që pastaj përdoren për të transportuar pasuritë tona nëpër botë, deri në Amerikë.

2-  Për të riparuar dëmtimin e frikshëm të “çatisë” së Kështjellës së Krimit, ku në kurth të korrupsionit ka rënë edhe ai vetë.

-Merre Tigrin, përdore si medalje suksesi para amerikanëve, se e hanë sapunin për djathë ata.

-Po Bablok, e hëngrën edhe kur ju dhe ambasadorja Yuri Kim ziheshit sikur nuk më doje, rri i qetë, për çdo dash që duhet therur, të çoj haber.

More, vërtetë SPAK-un e orienton Babloku dhe jo Amerika?!

Këtej, tjetër është dyshimi, tjetër fakti që shihet e tjetër informacioni që fshihet.

Për ne që shohim pa syze dhe ja lajmë me përulje edhe këmbët të vërtetës, burim informacioni nuk janë thashethemet, por dëmtimi i fortë i besimit në sistemin e drejtësisë, mos dalja si mostra e kreut të SPAK-ut dhe diferencimi mes bosëve të krimit ekonomik me ndikim të qëllimshëm në mosfunksionimin e ingranazheve të institucioneve ligj zbatuese.

Mashtrimet e drejtpërdrejta, kur informojmë publikun për të vërtetën kokëfortë, e dimë mirë, na dallojnë si dhinë ndër dele, na orientojnë edhe në hulumtime hutaqe nëpër ndërhyrje të jashtme dhe dyshime të brendshme, pasi seleksionimi i dosjeve sipas interesave dhe kodeve të 4 Klaneve Mafioze, nxin e ngarkon me re kohën time e kohën tënde.

Të tërë shtiren sikur vetë pastrohen dhe cilido të ketë radhën e viktimës, duhet të heshtë në këmbim të ca milionëve që SPAK-u bën sikur nuk i gjen.

Si nga jashtë, ashtu edhe përbrenda, nuk ka dritë.

Lajmet e skajshme nga Uashingtoni për dosjen McGonigal që i ka prerë “veshët” Bablokut, dhe blerjes së mundshme të ambasadorit të ri për t’i dhënë ende frymë korrupsionit dhe krimit, më shumë fshehin të vërteta, se sa  ristrukturojnë e rigjenerojnë integritet përmbi falsitet.

Kemi ministra të krimbur në pasuri dhe krime, politikanë, pushtetarë dhe opozitarë parazitë, që prej 30 vitesh mbushin thasët me para duke shtyrë njëri-tjetrin, dhe mashtrojnë publikun e ndërkombëtarët, po me aq zell sa vjedhin.

Situata thërret nevojën dhe nevoja situatën.

Nevojtarët nuk kanë material të ndërtojnë më shumë se një kolibe mishërimi, pasi edhe humorin edhe trishtimin, edhe shpresën edhe zhgënjimin, ua kanë shpërndarë sa tek interesat e Edi Ramës e Lulzim Bashës, aq edhe tek ato të Ilir Metës e Sali Berishës, që si në fund të ditës, ashtu edhe në fund të jetës, ngelen thellësisht anti amerikane dhe vrasës të demokracisë.

Edhe spiralet sipërfaqësore të makinerisë së drejtësisë janë gërvishtur, sa fshatarët e shohin me sy të lirë biznesin me drejtësinë. Të gjithë presin hetim të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston, të gjithë paguajnë nga taksat e veta kriminelët në kërkim që firmosin dhe përfitojnë 80 mijë euro dita e ende nuk kemi asnjë deklaratë nga diplomatët.

Në fund të ditës, në fund të shkrimit, meqë gjithë fshati dyshon, është minimalja të pyesim, po për shitblerje dosjesh në SPAK, a di gjë Amerika?!/Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu