Plasin “ujrat e zeza” në PS, po zihen për kandidatët bashkiakë, si maçokët në peshk

0

Shkruan Eliona Kodra Shkreli

Fillimisht pakënaqësia ishte për kandidatin, i cili u katapultua nga lart, me urdhër të të madhit, ndërsa tani ka plasur keq për emrat e kandidatëve për Këshillin Bashkiak (e vetmja që reagoi publikisht kundërshtinë e Daj ishte znj.Brigja e cila tregoi burrninë e zonës prej nga e cila vjen). Pakënaqësitë konsistojnë në faktin se emrat e listës fituese janë njerëz pa kontribute, nuk është respektuar besimi fetar dhe se janë futur emra në bazë preferencash të 2-3 njerëzve të afërt të kandidatit.

Po ç’rëndësi kanë këto?

Fakti është se socialistët ka kohë janë të pakënaqur me emrat që Tirana sjell (qoftë kandidatët për deputetë, drejtuesit politik, kandidatët për bashki etj), emërimet që bën si drejtues të PS Shkodër pa pyetur strukturat dhe pa i dhënë të drejtën të votojnë vetë anëtarët e PS-së Shkodër për emrat që duan ti përfaqësojnë etj etj. Fakti është se në këto zgjedhje (14 Maj) PS Shkodër shkon më e përçarë se çdo forcë tjetër politike, “duka” (dukja e jashtme, pamja e jashtme) të rren, ajo çka asht brënda “dukës” ka rëndësi për të arritur rezultate, brendësi e cila paraqitet (në rrethe të ngushta) e rrënuar dhe e shkatërruar. Me falë të tjera po zihen si maçokët në peshk.

Elisa dhe Beneti përçarës.

Beneti dhe Elisa e votës së ëndrrave jo vetëm që nuk arritën të bashkonin socialistët e Shkodrës, përkundrazi i përçanë edhe më shumë (në fund të fundit s’kanë faj se asnjëri nuk e njohin Shkodrën, mënyrën si funksionon ajo). E jo vetëm që nuk i bashkuan, por as nuk denjuan të pyesnin socialistët e vjetër e me kontribute të mëdha qysh në themelim të kësaj force politike për rrugën që duhet të ndjekin apo të konsultoheshin me ta për listat e kandidatëve.

Elisa dhe Skënerbeu.

E në fund, Elisa “braktisi” kandidatin duke e lënë të përballet me shkatërrimin që gatuan vetë. Në fund të fundit, Elisës i interesonte fitorja për të ngritur lart emrin e saj para Skënderbeut, por pasi e kuptoi se se gjithçka bëri ishte një HIÇ, vendosi të mënjanohet e të duket në Shkodër ndoshta në ditë të caktuara sa për sy e faqe, thënë troç, sa për fasadë. Tani Beneti vazhdon “luftën” i vetëm por me njerëz plot (në dukje). Ajo që duhet t’i dhembë më shumë duhet të jetë fakti se jo vetëm që Shkodrën nuk do e fitojë por ka humbur edhe mandatin e deputetit duke e nxjerrë veten jashtë skenës politike. Tani i duhet të presë nëse Lartmadhëria do vendosë t’i japë ndonjë post drejtues apo thjesht do e tresë siç ka tretur edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë më përpara, të cilët fillimisht i ka lartësuar e më pas i ka ‘hedhur’ si të pavlerë. Më vjen keq që z.Beci nuk arriti t’i dilte i herë të vetme zot Shkodrës, as në foltoren e Kuvendit si deputet i saj e as nuk do t’a bëjë si drejtues i Bashkisë Shkodër. E vetmja periudhë që do mbahet mend prej tij mbetet ajo kur merrte “urdhra” nga Berisha për investimet në Qarkun e Shkodrës si drejtues ekzekutiv i FShZh-së!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu