Shkruan Konstantin Luci
Që nga pavarësia e saj nga Franca në vitin 1962, Algjeria është shndërruar në një shtet ku islami është feja zyrtare shtetërore dhe themeli i identitetit kombëtar. Me një popullsi prej rreth 47 milionë banorësh, vendi është zyrtarisht 99% mysliman suni. Të krishterët përbëjnë një minoritet shumë të vogël – rreth 150.000–170.000 vetë, ose më pak se 1% e popullsisë. Shumica e tyre janë të konvertuar nga islami, ose me origjinë nga periudha koloniale. Persekutimi ndaj të krishterëve në Algjeri nuk është i hapur dhe i dhunshëm si në disa vende të tjera, por është sistematik, ligjor dhe i vazhdueshëm. Ai synon të kufizojë çdo shprehje publike ose gjysmë-publike të fesë së krishterë, duke e bërë jetën e besimtarëve të vështirë dhe të rrezikshme. Baza e këtij persekutimi është Ordinanca ( ligj Algjerian) , që i takon datës 06-03 i vitit 2006, ligj i cili rregullon ushtrimin e fesë josyslimane. Kjo ordhinancë kërkon që çdo vend kulti, mbledhje fetare ose aktivitet i krishterë të miratohet paraprakisht nga autoritetet. Në praktikë, miratimet janë bërë pothuajse të pamundura. Neni 11 i kësaj ordinance ndalon çdo veprim që mund të “tronditë besimin e një myslimani”, duke përfshirë shpërndarjen e Bibla-ve, predikimin, mbledhjet pa leje ose çdo formë prozelitizmi. Dënimi arrin deri në 5 vjet burgim dhe gjoba të rënda. Kushtetuta e vitit 2020 e forcoi akoma më shumë këtë drejtim duke hequr çdo referencë për “lirinë e ndërgjegjes” dhe duke theksuar vetëm identitetin islam të shtetit. Si rezultat, të krishterët jetojnë nën një presion të vazhdueshëm ligjor: nuk ndalohet drejtpërdrejt të jesh i krishterë, por çdo manifestim i fesë mund të çojë në hetim, gjyq, gjobë ose burgim. Që nga viti 2017, qeveria algjeriane ka zhvilluar një fushatë sistematike kundër kishave ungjillore. Të gjitha rreth 47 kishat që bënin pjesë në Protestant Church of Algeria (EPA) janë mbyllur me forcë ose janë detyruar të ndalin aktivitetet e tyre. Në vitin 2025–2026, vetëm një kishë protestante mbetet e hapur në Algjier, dhe ajo në kushte të rënda kufizimi. Shumë ndërtesa kishash janë vulosur, pastorët janë ndjekur penalisht dhe besimtarët janë detyruar të festojnë lutjet e tyre në shtëpi private ose në fshehtësi të plotë. Pastorë si Youssef Ourahmane janë dënuar me burgim dhe gjoba vetëm sepse kanë celebruar shërbesë fetare pa leje zyrtare. Mbi 50 të krishterë janë ndjekur penalisht vetëm në vitet e fundit për arsye fetare. Sulmet në shtëpi, konfiskimi i Bibla-ve, kompjuterëve dhe materialeve fetare janë bërë praktika të zakonshme. Autoritetet kanë zgjeruar persekutimin edhe në hapësirën dixhitale, duke mbyllur grupe fetare në rrjetet sociale me dhjetëra mijëra anëtarë. Vizita e Papës Leo XIV në Algjeri në prill 2026 ka krijuar njëfarë shprese për dialog, por shumë besimtarë frikësohen se persekutimi mund të vazhdojë edhe pas kësaj vizite. Për shumicën e të krishterëve algjerianë, sidomos për ata të konvertuar nga islami, persekutimi nuk vjen vetëm nga shteti, por edhe nga familja dhe shoqëria. Konvertimi konsiderohet tradhti ndaj identitetit islam dhe “konstantëve kombëtare”. Shumë besimtarë përballen me ostracizëm, presion familjar, humbje pune ose madje dhunë. Festat e mëdha si Pashkët festohen në fshehtësi të plotë, në grupe të vogla ose individuale, pa meshë publike, pa procesione dhe pa asnjë shenjë gëzimi të jashtëm.Ky persekutim sistematik ka krijuar një klimë frike dhe vetë-censurimi. Të krishterët detyrohen të jetojnë besimin e tyre në heshtje, duke e fshehur shpesh identitetin e tyre fetar për të shmangur pasoja.PërfundimPersekutimi ndaj të krishterëve në Algjeri është një shembull i qartë se si një shtet mund të përdorë ligjet për të kufizuar lirinë fetare pa e shpallur hapur luftën kundër një feje. Duke mbyllur kishat, duke ndjekur penalisht pastorët dhe duke kriminalizuar çdo shprehje të krishterë, Algjeria synon të ruajë identitetin e saj islam të pastër. Megjithatë, pavarësisht presionit të fortë, komuniteti i krishterë mbetet i gjallë, duke festuar besimin e tij në fshehtësi dhe me shpresë për një të ardhme ku liria fetare të respektohet për të gjithë.Ky realitet i hidhur na kujton se lufta për lirinë e besimit nuk ka mbaruar ende në shekullin e 21-të.



