Përplasje në Uashington, kreu i Antiterrorizmit jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran

0

Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në Shtetet e Bashkuara, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen për shkak të luftës në Iran, duke mbajtur qëndrim të hapur kundër përfshirjes amerikane në konflikt.

Në një postim publik, Kent shkroi se nuk mund të mbështesë “me ndërgjegje të pastër” luftën e vazhdueshme në Iran. Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Irani “nuk përbënte një rrezik të menjëhershëm” për SHBA-në dhe se vendi u shty drejt konfliktit “nga presioni i Izraelit dhe i lobit të tij të fuqishëm në Amerikë”.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar Donald Trumpit, Kent tha se vazhdon të mbështesë vlerat dhe qasjen në politikën e jashtme me të cilat Trump u zgjodh në vitet 2016, 2020 dhe 2024, si edhe linjën që, sipas tij, u ndoq gjatë mandatit të parë presidencial.

Ai theksoi se deri në qershor 2025, Trump e kishte kuptuar se luftërat në Lindjen e Mesme përbëjnë një kurth që i kushton Amerikës jetë njerëzish dhe dëmton pasurinë dhe mirëqenien e vendit.

Kent e mbështeti qëndrimin e tij edhe në përvojën personale. Ai u shpreh se, si veteran me 11 misione lufte dhe si bashkëshort i një ushtarakeje të rënë në detyrë, nuk mund të mbështesë dërgimin e një brezi tjetër amerikanësh në një luftë që, sipas tij, “nuk i shërben interesave të popullit amerikan dhe nuk e justifikon koston në jetë njerëzish”.

Në fund të letrës, ai i kërkoi Trumpit të rishqyrtojë kursin e ndjekur ndaj Iranit. “Lutem të mendoni se çfarë po bëjmë në Iran dhe për kë po e bëjmë. Koha për veprim të guximshëm është tani”, shkroi Kent, duke shtuar se presidenti mund të ndryshojë drejtimin ose të lejojë që vendi të rrëshqasë më tej drejt rënies dhe kaosit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu