Po quhet Kuvendi i PD-së Lezhë, një mbledhje për të zgjedhur Kryetarin ose Kryetaren e kësaj partie në këtë Bashki.
Fjala Kuvend është shumë e rëndë, e madhe, me peshë. Sidomos në Lezhë!
Nuk po përmendim aspak historitë, që nga koha e Kuvendeve të Gjergj Kastriotit, Skenderbeu. Sepse nuk ka kuptim referenca.
Po, për çfarë do të kuvendojnë atë ditë, pra të djelën e parë të muajit mars disa demokratë që për hir të së vërtetës kanë qëndruar dhe me plot gojën mund të quhen qëndrestarë?!
Do të kuvendojnë për përçarjen e PD-së Lezhë, si në gjithë Shqipërinë?!
Do të përplasen grupet edhe pse kanë mbetur shumë pak demokratë, për të arritur objektivat që ka PD-ja në qëndër?
Do të kuvendojnë për alternativat dhe idetë qeverisëse për Lezhën e më tej?!
Apo, thjeshtë do të kalojë në heshtje edhe kjo ditë, ky Kuvend, me objektivin e vetëm që nuk do të kemi më kryetarë apo kryetare të komanduar nga Basha?!
Apo më tej, po nxitohet për të patur një kryesi të kontrolluar, siç i kontrollonte Berisha dikur dhe tani, duke ecur në rrugën berishiste nga i biri shpirtëror i tij, do të jetë nën kontroll partia?!
Sigurisht, ky i fundit është objektivi “madhor” i Bashës. Ai, duke e ditur që tani rezultatin skandaloz që do të arrijë në zgjedhjet e radhës, do të përdorë pikërisht të zgjedhurit dhe të përzgjedhurit e tij, kryetarë partie në rrethe, anëtarë kryesie, për të mos e shkarkuar nga kreu i PD-së. Madje, e ka miratuar pa votim e pa diskutim edhe në statut të partisë një nen të tille: që pas humbjes së zgjedhjeve, kryetari nuk është i detyruar të japë dorëheqjen!
Por dorëheqja është dhe mbetet një normë në demokraci, nejse…
Mbase nuk do pritet ajo ditë, ti kërkohet dorëheqja pas humbjes. Për të mirën e PD-së, të demokratëve dhe të vëndit, është e udhës të mos humbet kohë kot, e të shkohet pas një mashtruesi, një gënjeshtari, një dështaku.
Gjithsesi, kalojmë tek rasti i Kuvendit të PD-së në Lezhë.
Së pari, është njoftuar sot për zgjedhjet e kreut të PD-së në këtë Bashki, ku kandidatët që e kanë firmosur formularin e kandidimit, nuk kanë kohë të merren me fushatë.
Së dyti, të bie në sy niveli i ulët i kandidatëve, mungesa e peshave të rënda siç quhet rëndom. Asnjë përsonalitet që të shfaqet si një figurë potenciale për kryetarë bashkie nesër, apo për deputet.
Emrat: Sandër Marku, Armel Kasemi, Arbër Dodaj, Alfrida Marku,Bardhok Doda, duhen falenderuar për kandidimin. Por vetëm kaq.
Formaliteti, përzgjedhjet ndërmjet grupazheve, nuk do të prodhojë asgjë pozitive për Lezhën.
Por, do të mbetën në shifrat rreth 4%, që nuk prodhojë as një gjysëm deputeti.
Medet, sa poshtë ka rënë PD-ja!
Këtu do jemi dhe do e shikojmë…