Shkruan Zef Ndreka
Më në fund, filluan zyrtarisht disa lëvizje të pritshme këto ditë brenda PD-së, të cilat tregojnë qartë se ky grupim politik ka hyrë në fazën më të thellë të konfliktit të brendshëm që kjo parti ka përjetuar prej vitit 1997.
Tashmë nuk ka as fasada uniteti, as balanca formale. Por duket shumë qartë se disa figura si Saljani, Alimehmeti por edhe disa grupime të tjera më të heshtura po kërkojnë të ndërtojnë një orbitë të re, jashtë strukturave zyrtare të Berishës.
Nga kjo situatë e re ku këto figura po guxojnë artikulime kundër statusquosë edhe pse anatemohen nga kryetari, ngs anëtarë të tjerë të kryesisë së partisë dhe disa deputetëve të saj, shtroj pyetjen:
Pse nuk mblidhet Këshilli Kombëtar?
Përgjigja është e shkurtër dhe e thjeshtë, kanë frikë të mblidhen. Sepse Berisha dhe bërthama e servilëve që e rrethon atë e dinë shumë mirë se mbledhja e Këshillit Kombëtar do të sillte kritika të hapura kundër lidershipit, do të sillte kërkes për analizën e humbjeve të njëpasnjëshme, do të sillte shqyrtim të legjitimitetit të kryesisë aktuale, ndoshta edhe nisjen e një procesi të brendshëm zgjedhor, i cili përjashton automatikisht modelin: listë e mbyllur e besnikëve!
Kështu, mosmbledhja e Këshillit Kombëtar është mjeti i vetëm i fshehtë i mbijeteses politike të pengmarrësve dhe nuk është aspak rastësi, por strategji.
Zërat hapur kundër Nokës, Bardhit, Palokës, Shehut, Vokshit dhe shumë të tjerëve nuk po vijn më vetëm nga jashtë PD-së apo nga grupimet elektorale, por nga vetë demokratët e terrenit, nga anëtarët e vjetër dhe nga figura publike që refuzojnë të lidhen më me modelin Berisha.
Kjo tregon se modeli i foltores ka prekur kufirin e pabesueshmërisë, deputetët e listës së mbyllur perceptohen tashmë siç e kemi thënë si mbrojtës të interesave personale dhe PD po humb çdo ditë terren moral para opinionit publik.
Pyetja tjetër që vjen:
Çfarë pritet të ndodh më tej në kampin e opozitës, konkretisht në PD?
Lëvizjet e fundit, të kontrolluara apo jo, tregojnë se në PD po luhet paralelisht nga një lëvizje e re organizative brenda PD-së me grupin e Saljanit, Alimehmetit dhe të tjerëve të cilët po përpiqen të ndërtojnë një platformë të re politike, të ndërtojnë një strukturë paralele me slogan “PD e hapur” dhe të kërkojë zgjedhje të brendshme reale.
Nuk besoj se do ketë shkëputje nga PD-ja, por arrijnë të krijojnë presion të brendshëm aq të fortë tek demokratët, sa të detyrojë të bëjnë ndryshime.
Por nuk përjashtohet mundesia e ndërprerjes de facto të bashkëjetesës me Berishën, sepse tensionet po rriten dhe një grup deputetësh mund të shpallin distancim politik, të krijojnë një grupim kritik deri në ndryshime statutore, ose e fragmentimit të PD-së në dy blloqe të dallueshme.
Por, në vartësi të qëndrimit bllokues të Berishës dhe të SPAK-ut me masa shtënguese ligjore, një grup i madh opozitar mund të dalë jashtë PD-së dhe të krijojë një projekt të ri politik pro-perëndimor, me emra të rinj, me procedura transparente.
Ndërkohë edhe ana tjetër e mazhorancës është gjithashtu “nxehtë” dhe jemi në momentin më të pazakontë në politikën pruraliste shqiptare me krizë shumë serioze tek opozita, me presion të rëndë tek qeveria nga SPAK-u, nga hetimet, nga ngrirjet e vendimeve të qeverisë.
Këto dy fronte të hapura realisht krijojnë vakum politik, krijojnë mundësi për rritje të lëvizjeve të reja dhe kushte për riformatim të të gjithë skenës politike shqiptare.








