Shkruan Zef Ndreka
Gjekmarkaj pasi kërkoi ndjesë se vite më parë kishte sharë Berishën, burrin më të madh të Shqipërisë 100-vjeçare-sipas tij, në rolin e zv/kryetarit të PD-së dhe të Kuvendit shtoi se SPAK do të rrëzojë qeverinë dhe se pas dosjeve do të vijë një qeveri teknike.
Kjo që po thuhet nga kjo pjesë e PD-së, nuk është asesi strategji politike, por është shenjë e krizes së thellë të vizionit dhe kapaciteteve.
PD-ja kështu po vaxhdon të shpallë publikisht strategjinë e pritjes dhe jo të veprimeve politike. Kjo lloj strategjie humbet çdo betejë të radhës.
Opozita e cila pret që institucionet e drejtësisë ti zgjidhin betejat politike, në fakt ka hequr dorë nga politika.
Një parti serioze që mësyn pushtetin ndërton alternativë, krijon kauza, mban raporte me qytetarët, ofron programe zhvillimi dhe sjell profile të reja.
Por, PD-ja aktuale po bën të kundërtën, ajo po pret “të bjerë qeveria” nga jashtë politikës.
Kjo është fitore imagjinare në varësi nga faktorë që nuk i kontrollon dot PD-ja, pra është strategji humbëse.
Por akoma më keq, hidhet kjo deklaratë e qëllimshme, kur dihet se SPAK nuk prodhon qeveri.
SPAK nuk krijon qeveri teknike, nuk shpërndan parlament, nuk bën politikë, por bën dosje penale dhe vetëm kaq.
Nëse ndodh një krizë politike për shkak të një çështjeje penale, kjo është pasoje politike, por nuk është mekanizëm kushtetues për të sjellë qeveri teknike.
PD-ja e di mirë këtë, nëse jo ta mësoje, por e përdor si justifikim për të mbajtur moralin e bazës.
Kjo është totalisht shmangie e përgjegjësisë së brendshme, kur një parti nuk arrin dot të bashkohet, të ndërtojë struktura të forta, të nxjerrë lidership funksional, të bëjë analizë humbjesh. Atëherë i duhet të shpikë një shpëtimtar i jashtëm, i cili për PD-në sot, ky shpëtimtar imagjinar është SPAK-u.
Ky mekanizëm i pritjes e largon vëmendjen nga problemet reale që ka kjo parti, si mungesë lidershipi, mungesë vizioni dhe zinxhir i pafund krizash të brendshme.
Kështu, PD-ja në vend të strategjisë, vazhdon propagandë duke lëshuar sinjalin tek militantët se politikën po e çon SPAK-u përpara.
Shitja si “strategji” është në thelb propagandë për të mbajtur gjallë iluzionin e fitores, kur nuk ka dot fitore elektorale.
Kjo është shumë e rrezikshme për çdo forcë politike alternative për pushtet sepse militantët e PD-së më vonë do zhgënjehen akoma më shumë, kur realiteti nuk do të përputhet me këto iluzione.
Strategjia e justifikimit që po përdor PD-ja, bën
efektin e kundërt të asaj që pritët, duke sjellë forcimin e qeverisë.
Ironikisht, pritja që SPAK të “sjellë qeveri teknike” e bën qeverinë më të fortë.
Sepse publiku sheh një opozitë pa vizion dhe një qeverisje të keqe, por pa alternativë.
Në politikë, pushteti shterret vetëm kur ka alternativë të besueshme përballë.
Por sot kjo alternativë mungon.








