Shkruan Ferit Hoxha
Po e nis këtë shkrim me thënien “një udhë dhe dy punë” për vetë faktin se me ftesë të z. Adriatik Gega zv. President i Shoqatës Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël, më 22 Tetor 2023, së bashku me shumë miq të tjerë të ardhur nga të gjithë trojet shqiptare dhe diaspora, morëm pjesë në Festivalin e Fëmijëve të titulluar “Mikrofoni i Artë”, kushtuar së madhes Vaçe Zela “NDERI i KOMBIT”.
Ishte jo vetëm një eveniment me vlera atistiko-kulturore, por në përmbatje kishte edhe shumë vlera të tjera kombëtare si; ndërthurje kulturash, shkëmbime mesazhesh,njohje e prezantime, vizitë në Selinë e Kongresit të Lushnjës, si dhe takime në nivele përfaqësimi me pushtetin vendor dhe pëfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë kuadër takimesh e prezantimesh, një përfaqësi e Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar, u prit nga Kryetarja e Bashkisë Lushnjë znj. Eriselda Sefa dhe nga deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Lindita Buxheli.
Në përbërje të këtij grupi përfaqësimi ishin z. Can Tahiri, Kryetar i Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar për Diasporën me qendër në Gjermani, Ferit Hoxha Kryetar i Grupit Parlamentar për Degën Shqipëri, si dhe anëtarët e Kryesisë znj. Bujana Malaj, z. Agron Gjedia dhe z. Ilmi Kurti.
Takimet u zhvilluan në orare të ndryshme nga dikasteret mikpritëse dhe me një frymë mirëkuptimi, pasi në prezencë ishin edhe grupe të tjera të adhur nga Kosova, Mali Zi dhe Maqedonia e Veriut, ku mund të veçojmë z. Nikoll Camaj deputet shqiptar në Parlamentin e Malit Zi, z. Gani Krasniqi deputet në Parlamentin e Kosovës, Kryetari i Unionit shqiptaro-gjerman z.Nuho Krasniqi, personalitete të tjera nga arti e kultura, si aktori dhe regjisori z. Xhevat Limani, Maestro Zhani Ciko, Drejtori i Ansamblit të Shtetit të Maqedonisë këngëtari i mirënjohur z. Shkodran Tolaj, komandatë të UÇk-së etj.
Pas fjalës së mirëseardhjes nga të dyja zonjat e nderuara, (në takime të vecanta) u bë një diskutim gjithëpërfshirës duke filluar me një prezantim të shkurtër të vlerave artistike, kulturore, turistike dhe historike të qytetit të Lushnjës dhe rrethinave të saj dhe duke vazhduar me diskutime dhe dhënie mendimesh për problematika të ndryshme si për Bashkinë e Lushnjës e më gjerë e deri në ato kombëtare.
Nga z. Can Tahiri u propozua që në fund të muajt Nëntor, në qytetin e Lushnjës dhe pikërisht në sallën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës, të mbahet një Kuvend Kombëtar të organizuar nga Parlamenti Paqësor i Kombit Shqiptar, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë të deputes znj. Lindita Buxheli dhe të aktorëve të tjerë të shoqërisë në këtë qark.
Propozim i cili u prit mjaft mirë dhe për këtë Kryetarja e Bashkisë dha jo vetëm pëlqimin e saj, por edhe u angazhua që do të japë kontributin e duhur për mbajtjen e këtij kuvendi, duke e cilësuar si një vlerë për Bashkinë dhe qytetarët e Lushnjës.
Gjithashtu si shumë herë të tjera, me propozim të Kryetarit të Grupit Parlamentar – Dega Shqipëri u ndanë disa Certifikata Mirënjohjeje në emër të Diasporës Shqiptare nga Kryetari i Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar për disa personalitete të artit dhe të kulturës si: për aktorin dhe regjisorin me famë ndërkombëtare z. Xhevat Limani, Maestron Zhani Ciko, z Adriatik Gega, Këngëtarët Hysni Hoxha, Fatime Kalimashi, Kristina Ndoi etj.
U larguam nga Lushnja jo vetëm me kënaqësinë dhe respektin që na dhuruan organizatorët e eventit, qytetarët e Lushnjës dhe përfaqësuesit e tyre, të cilët gjej rastin t’i falenderoj për mikpritjen, por dhe me shpresën dhe besimin për t’u rikthyer së shpejti e që së bashku me Adriatikun si kordinator dhe me përfaqësuesit e zgjedhur të këtij qyteti, të organizojmë Kuvendin Kombëtar, kryesisht në funksion të Diasporës Shqiptare.
Veprat e mira në shërbim të kombit kërkojnë dashamirësi, vullnet, mendim krijues e mbi të gjitha bashkëpunim nga të gjithë aktorët pjesëmarrës e më gjerë.
Me respekt, Ferit Hoxha Kryetar i Grupit Parlamentar për Diasporën – Dega Shqipëri!