Palloshit të Belinda Ballukut i shembet edhe Auto Moto, e ardhmja për gara të nivelit të Formula 1

0

Pas problemeve të raportuara në aksin Librazhd–Elbasan, një tjetër investim i madh publik duket se po përballet me dëmtime ende pa përfunduar punimet. Bëhet fjalë për Auto Moto Parkun e Elbasanit, një projekt me kosto të deklaruar prej 190 milionë eurosh, i shpallur si investim prioritar.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë çarje dhe dëmtime të konsiderueshme në disa segmente të pistës. Në video dhe foto, asfalti shfaqet i plasaritur dhe në disa zona i deformuar, ndonëse projekti nuk është inauguruar ende. Situata ka ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe standardet e zbatuara në ndërtim.

Projekti shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 50 hektarësh përgjatë lumit Shkumbin dhe parashikon ndërtimin e një piste garash për makina me gjatësi 4.4 kilometra. Përveç pistës, plani përfshin Akademinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore, Muzeun Retro dhe Akademinë e Restaurimit të Mjeteve Historike

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar më herët këtë investim si një projekt që nuk është thjesht një cirkuit garash, por një “motor të ri për ekonominë”, duke shprehur ambicien që Shqipëria të presë në të ardhmen gara të nivelit të Formula 1. Ai është shprehur se projekti është hartuar në bashkëpunim me ekspertizë ndërkombëtare dhe përmban elementë inovativë brenda standardeve të familjes së cirkuiteve të F1.

Megjithatë, dëmtimet e shfaqura në pistë, ende pa u hapur zyrtarisht, shtojnë dyshimet mbi qëndrueshmërinë e investimeve infrastrukturore, në një kohë kur edhe projekte të tjera rrugore në vend janë përballur me probleme të ngjashme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu