Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës e kanë zhvendosur protestën e tyre para SPAK, ku kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz të oligarkut Bashkim Ulaj.
Banorët kanë protestuar në fshatin Rrjoll, por sot janë zhvendosur para SPAK, aty ku kanë dorëzuar edhe një kallëzim kundër Bashkim Ulajt, të cilin e akuzojnë se po u grabit pronat.
60 familje kërkojnë ndaljen e punimeve, pasi akuzojnë se biznesmeni Ulaj në bashkëpunim me kreun e Partisë së Lirisë në Malësi të Madhe, Fatmir Shpellzaj u kanë grabitur pronat. Shpellzaj është kreu i Partisë së Lirisë në Malësi të Madhe, njëherazi edhe anëtar i Këshillit Bashkiak në Malësi të Madhe nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” (Berisha-Meta).
“Unë i kam me dokumente, i kam sjellë në SPAK. I kam çuar në gjykata, të gjithë më thonë si ke. I ka marrë i forti, si kanë për të mi dhënë mua. Bashkim Ulaj s’ka shans me u fut aty. Ne s’kemi ardhur të bëjmë luftë, s’kemi asnjë interesi të konfrontohemi me policë, kemi ardhur për transparencë për ti treguar shtetit shqiptar se çfarë kriminelësh ka këtu. Për fshatarët nuk ka bashki, ka bashki për ata që punojnë në institucione shtetërore, Shpellzaj ka punuar në bashki. Në 2020 na ka informuar Avokatura e Shtetit, pasi i ka marrë pronat Shpellzaj, kur shkuam ne me i marrë. Ca pronash, i ka marrë ai i forti”, tha një prej protestuesve.
Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga “Gener 2” “Aba Blue Borgo”, sh.p.k.
Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Po ashtu, kompania Gener 2 ka marrë me koncesion dhe segmentin Thumanë-Milot, aks me pagesë dhe tarifën e vjel kompania e oligarkut Bashkim Ulaj.