O injorantë dhe provincialë, e dini ju që Bill Clinton u pagua qindra mijëra euro për të ardhur në Tiranë

0

Shkruan Sonila Meço

Saimir Kumbaro dhe Qamil Buxheli na kanë lënë një testament të gjithkohshëm të njohjes së mentalitetit të provincës drejtuar nga të korruptuar dhe injorantë.

Kush nuk e ka parë ende, ta bëjë urgjentisht për të kuptuar përtej çdo ngasjeje propagandistike të vërtetën e dhimbshme e qesharake të shkruarjes së historisë sipas midesë së “elitave” të “provincave”, një parodi tragji-komike ku sllogani “Mos pështyni në tokë, por gomerët tuaj!” e ka zgërlaqur fatin e një kombi si profeci.

Ngjarjet një shekull më parë…

Deliri i monarkut për të vërtetuar se rrjedh nga një familje fisnikësh e shtyn, që me parà të madhe të sjellë në Shqipëri një historian të huaj me famë. Historiani i nderuar do të bashkëpunojë me autoritetet e një prefekture të varfër të mbretërisë, të korruptuar, të pasur dëngas në raport me popullsinë e varfër, të kalbur moralisht, injorantë.

Për ceremoninë e pritjes së historianit të nderuar do të shtrydhen ca buxhete të bëra copë për arnime fasadash, do të mobilizohen punonjës prefekture, do të plasë një xhelozi e ambicje mes drejtuesve e pasunarëve të prefekturës për një vend pranë historianit dhe në librin e tij, do rreshtohet mileti si dele duke e edukuar edhe me parrulla dy ditore për një ceremoni pritjeje, do plasë servilizmi e patetizmi, karagjozllëku e deliret, korrupsioni e degjenerimi vetëm për pak rreshta në përmbajtjen e librit të historianit të rëndësishëm, gjithsesi dalë në pension.

Pa do tentohet të merret dorëshkrimi para botimit, mundësisht të rishkruhet nga vetë “kokat” e pushtetit të prefekturës, do miklohet mbesa e historianit, shoqëruesi i tij, që bën parà të madhe me “lobime” për një vend në “historinë” e porositur nga deliri i një monarku.

Të paaftë e mantenuta, mediokër e injorantë, të pushtetshëm me farë e fis do të krekosen për ditë me radhë e sidomos në ceremoninë e pritjes, duke shpresuar se ky është rasti fatlum të hyjnë njëfarësoj në histori, duke tentuar të bindin vetëm “delet” e rreshtuara të fasadës, me barkun bosh, jetën copë dhe të vjedhur e sakatuar prej të parëve. Askënd tjetër.

Në fund, çdo ëndërr e ambicje do tretet si fondet e rinovimit të shatërvanit në qendër të qytetit, që iu morën tubacioneve të ujit për popullin, që kurrë nuk u shtruan vetëm për një pritje megallomane e qesharake. Historiani në pension nuk e shkruan librin, ikja e tij i la më keq drejtuesit e prefekturës, që në përpjekjen delirante për pak “famë” në ca gërma historie “të porositur” t‘i nxirrnin sytë njëri-tjetrit e të shfaqeshin edhe më langaraqë se më parë para popullit.

Profecia e dy emblemave të letërsisë e kinematografisë shqiptare është e jashtëzakonshme.

Filmi i vitit 1988 sapo u ri-shfaq pas plot 35 vjetësh me të njëjtën përpikmëri skenari e regjisoriale. Por kësaj here me kosto reale mbi shqiptarët e drobitur, që paguan faturën ditore qindra mijëra euroshe të udhëtimit e qendrimit një ish- presidenti amerikan, megjithëse me rol të nderuar historik në çlirimin e Kosovës, bashkë me stafin e tij, paguan deliret e liderit, ambicjet e lobuesve ndërkombëtarë, “kërcënimin” e kryeministrit të Kosovës për axhenda të rrezikshme përtej diplomatike, udhëtimet e VIP-ave të modës, influencimit, vanitetit nga jashtë dhe dalldisjen e atyre brenda, krekosjen e “elitës” së oborrit në rreshtat e kopsitur sipas shijes së “prefektit”, transmetimin live të një ceremonie pa ngjarje e kontekst, skenografinë, organizimin dhe në finale edhe “fyerjen” e një presidenti, që ka firmosur një akt historik për shqiptarët me dekorimin e një rangu më të ulët se merita e tij.

Historinë e shkruar denjësisht nga vetë presidenca e tij e morën për ta rishkruar për interesin e një pushteti delirant provincial njëlloj si ai me kruajtëset e dhëmbëve që në filmin “Historiani dhe Kameleonët” u jepeshin njerëzve pa dhëmbë për t’i treguar eminencës ndërkombëtare se populli e ka barkun plot.

Muzika mund të rinisë pasi u ndalua në pub-e e club-e, trafiku po çlirohet, modelet kthehen në “pasarelat” e instagramit, ndërkohë “popullit” i rikthehet leja për “të pështyrë në tokë” pa torturuar gomerët e angarisë.

Mungonte vetëm diçka nga imitimi i frikshëm i filmit të Kumbaros, i madhi Ferdinand Radi (ndjesë pastë) teksa përsëriste pas frazave në fjalimin e “prefektit”:

“Rroftë kujdesi atnor i lartmadhnisë!”

Shihni dhe gjykoni vetë, me kokën tuaj:

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu