Numërimi i votave për zgjedhjen e qeverisë së re greke po ecën me shpejtësi. 1 orë e gjysmë nga mbyllja e kutive të votimit është numëruar mbi 60% e tyre. Ajo që po udhëheq bindshëm rezultatet është partia Demokracia e re e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis që ka marrë 40.87% të votave.
Me këtë rezultat kjo forcë merr rreth 145 deputetë në parlamentin me 300 vende. Për të siguruar shumicën, kryeministrit Mitsotakis do t’i duhet të bëjë koalicion me ndonjë parti të vogël pa lëshuar shumë nga premtimet e tij.
Zhgënjimi më i madh ishte i SYRIZA, të drejtuar nga ish-kryeministri Alexis Tsipras. Ajo ka mbledhur 20.09% të votave duke marrë vetëm 71 deputetë. Në vend të tretë renditet e majta historike e PASOK që numëron vetëm 11.97% me 43 deputetë.
Komunistët e KKE janë të katërtit me rreth 7% të votave që marrin 25 deputetë. Deri tani, partia e fundit që hyn në parlament duke kaluar pragun prej 3% është “Zgjidhja greke” me 4.49% që merr 16 mandate deputetësh. Duket se mbetet jashtë parlamentit, “MeRA25” e ish-ministrit të financave Yanis Varoufakis me 2.47%. ©LAPSI.al