Çfarë po ndodh? Po ndodh që sot Tirana zyrtare po investon në rrëzimin e një qeverie në Kosovë. Një qeverie të zgjedhur me votë. Dhe po e bën këtë nën mbulimin e ruajtjes së orientimit perëndimor të Kosovës që është cenuar nga sjellja e Albin Kurtit.
Sot mediat raportuan se turi ballkanik i kryeministrit Rama nuk kalon në Kosovë, pasi Kurti nuk do të takojë z. Rama nën argumentin se ai anuloi pa arsye mbledhjen e përbashkët të qeverive.
Mirëpo z. Rama, si dikush që nuk e njeh cipën dhe taktin do të jetë në Kosovë me një axhendë që mbetet për t’u zbardhur. Paralelisht, një parti e opozitës, LDK-ja e Lumir Abdixhikut ka ndërmarrë një nsimë që quhet: Rruga e re pa Kurtin. E ka prezantuar atë në një takim me gazetarë dhe analistë, vetëm dy ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje hapi rrugën për të diskutuar mbi zgjedhjet e reja. Mediat në Kosovë raportojnë se Abdixhiku do të takojë presidenten Vjosa Osmani, ndërkohë që ka mirëpritur vizitën e z. Rama.
Jemi në kushtet e një incidenti të rëndë politik, pasi termi diplomatik tanimë është tejkaluar. Kemi një kryeministër të një vendi që viziton një vend tjetër ku nuk e presin dhe që zhvillon takime dhe gatuan politikë me ata që kërkojnë rrëzimin e asaj qeverie. Në një akt të pastër të ndërhyrjes në zhvillimet e brendshme, duke provokuar kështu asgjë më shumë sesa një paralizë totale komunikimi.
Në eventualitetin e pranisë së z. Rama në takime me përfaqësues të opozitës kosovare, ku do të përmendet nevoja e largimit të qeverisë Kurti, është e nevojshme dhe e dobishme, që të kërkohet largimi nga Kosova i Edi Ramës dhe të mos lejohet hyrja e tij në cilësinë e një drejtuesi politik, pasi nuk ka asnjë logjikë dhe arsyetim mbi të cilin një sjellje e tillë të përligjet. Zoti Rama ka deklaruar se do të flasë në Kosovë. Ku dhe për çfarë? Mos vallë do deklarojë që Kurti është rrezik për qytetërimin perëndimor të shqiptarëve?
E gjithë kjo zhurmë nuk ka asnjë brendi, ajo justifikon vetëm ambiciet e një njeriu që është ngritur të shkatërrojë politikisht rivalin e vet në botën shqiptare, duke mëtuar një protagonizëm ndërkombëtar që nuk mbështetet as nga pesha e Shqipërisë, as nga lloji I shtetit që ajo është dhe as nga profili i z. Rama. Që është sipas të gjitha raportimeve kryeministër I qeverisë më të korruptuar në Europë.






