Një puthje vjedhacake që na vjedh përjetimin zjarrmëtar të ndjenjave

0

Shkruam Albert Vataj

Kanavaca “Një puthje e vjedhur” e britanikut, Thomas Edward Roberts, (1820–1901), është një punë e vitit 1863, e cila përcjell një moment të dlirë dashurie, që shprehet përmes një puthje vjedhacake, me pafajësinë e një momenti që ka plazmuar në këtë tablo vlerat e këtij mjeshtri të artit.
Ky çast tregon lojën e dashurisë, shpengimet dhe fajet e pafajshme të saj. Sjell në këtë përjetim krijues ceremonialitetin e ndjenjës, e cila shpërthen e ndrojtur dhe hirëplot. Tabloja tregon se mes dy të rinjve, kjo puthje e vjedhur nuk është një befasi, se ç’është ai moment i shumëpritur që të shastis, duke të rrëmbyer në kurorëzim. Vajza i dorëzohet kësaj puthje të vjedhur si një dehjeje të fuqishme ndjenjash. Jo vetëm koka e anuar, por edhe pozicioni i dorëzimit dhe prehja, duart e lëshuara si në një akt sublim ofrimi. Kjo tregohet nga mënyra se si vajza që shoqëron, rreket të fsheh më shaminë që mban në dorë, shprehjen e lumturisë që ajo përjeton për miken e saj që i është dhënë dashurisë kaq dëlirësisht.
Ngjyrat e gjalla, veshjet ceremoniale që mbajnë tre personazhet e këtij kompozimi pikturor, ambiente, kolltuku ku vajza ka qëndruar, tregojnë për një vlerësim fisnikëror që piktori i ka dhënë këtij përjetimi. Ai ka stolisur këtë moment me një palet të hareshme ngjyrash dhe drite. Përkujdesja për përcjellë me shkujdesje dhe ëmbëlsi këtë tablo është lartësia ku ai ngre dashurinë, këtë dhuratë të hyjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu