Një kupë me musht

0
Shkruan Mimoza Rexhvelaj
Një kupë me musht
Myshqet u fshehën në lëkurën
E drurëve në komën e dimrit,
Një grusht rrezesh të diellit rezear
E dëbuan tek unë makthin e shpirtit.
E turitën pa të drejtë ndoshta
Siç nënçmojmë ne legjenda mitike,
Në kohëra kur pemët i shkundin
Çastet e veta me gjeste hermetike.
Apokalipsi i ndjenjave të mia hepohet
E tremb një lejlek se e var në sqep,
Unë ende veten e marr me të mirë
Besoj ende se pasioni shkrep…
Zëri im malin e shpon
Tehun të mprehtë e ka zëri im,
Me një kupë me musht të trazuar
E nënshkrova sonte aktin sublim.
Mbi puthje të ciflosura enden hijet
E fjalëve që bëhen lumë e ikin për dikah,
Parazitët gërmuan në rrënjët e shkurreve
Mjeranë e të pashpresë si ata!
Mali mbi kullë lëviz qeleshen gri
Një kupë me musht në dorë e mban,
Në se e ka ndjerë hallin që kam
Nuk di në se qesh apo qan?
Mitet e kohës që jetoj me ty
Shkrumb bëhen nën krojet me currila,
E në vend të tyre në kopshtin tonë Harlisen me triumf mijëra trandafila.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu