New York Times akuzon Edi Ramën

0

“New York Times”

Zoti Neza, 59 vjeç, ka lindur në Shqipëri dhe ka qenë i punësuar nga një agjenci inteligjence atje disa dekada më parë, thanë prokurorët. Më vonë ai u transferua në SHBA, u vendos në veri të Nju Xhersit dhe u bë shtetas amerikan. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.

Në takimin e gushtit 2017, zoti McGonigal i kërkoi para zotit Neza, thanë prokurorët. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan personat, nuk e karakterizuan marrëdhënien e tyre ose nuk zbuluan arsyen e kërkesës. Por në aktakuzën e Nju Jorkut, zoti Neza përmendet si miku i zotit McGonigal. Në muajt vijues, pasi zoti McGonigal kërkoi para, të dy personat bënë udhëtime të shumta në Europë, ku zoti McGonigal mesa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.

Në shtator të vitit 2017, të dy udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku zoti Neza e prezantoi zotin McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama. Zoti Duçka, i përshkruar në aktpadinë e Uashingtonit si Personi B, e solli zotin McGonigal që të takohej me Ramën.

Bashkë me dhënien e parafernelive të FBI-së për zotin Rama, zoti McGonigal është përpjekur që të nxisë kryeministrin Edi Rama për të dhënë një licencë për shpime nafte te një subjekt i lidhur me Nezën dhe Duçkën, sugjeruan prokurorët.

Zoti McGonigal gjithashtu duket se u përpoq të ndihmonte zotin Neza për të bërë marrëveshje me një politikan dhe biznesmen shqiptar, që donte që FBI të hetonte për atë që ai thoshte se është një komplot për jetën e tij.

Pasi takoi këtë person, McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit që një prokuror amerikan ta intervistonte në Austri, duke përdorur zotin Neza si përkthyes të tij. Prokurorët sugjeruan se takimi ishte një mashtrim; nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të intervistës dhe zoti Neza nuk ishte paguar për punën. Në të njëjtën ditë, zoti McGonigal dhe zoti Neza fluturuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan mundësitë për biznes, thuhet në aktakuzë.

Atë vjeshtë, zoti Neza i dha zotit McGonigal 225 mijë dollarë në cash në tre këste, sipas aktakuzës. Zoti Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në Nju Jork dhe të tjerat në shtëpinë e tij në Nju Xhersi. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për ndërmarrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.

Në nëntor, pasi zoti McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe zotin Duçka në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror, që kishte qenë me të në Austri, për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje nga presidenti Donald Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhënat e tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një raport në Departamentin e Drejtësisë, duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte zotin Rama. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili e quante veten si një mbështetës të zotit Trump.

Në fillim të vitit 2018, zoti Neza vazhdoi t’i transmetonte zotit McGonigal informacione- disa prej të cilave erdhën direkt nga zyra e zotit Rama- për zotin Muzin, sipas aktakuzës së Uashingtonit. McGonigal më pas do ua përcillte këto informacione të tjerëve në zyrën e FBI në Nju Jork.

Në fund të shkurtit, FBI hapi formalisht një hetim për lobistin me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal. Neza ishte ndër burimet konfidencialë që dhanë informacione gjatë hetimit dhe zoti Duçka pagoi dëshmitarët në Europë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, McGonigal dështoi të zbulonte kontaktet e tij me zotin Duçka apo marrëdhëniet e tij financiare me zotin Neza, thanë prokurorët. Nuk është e qartë nëse Departamenti i Drejtësisë ndërmori hapa shtesë për të hetuar zotin Muzin dhe kundër tij nuk u ngrit akuzë. Zoti Muzin tha në një deklaratë se ai ‘nuk kishte arsye të besonte se ishte viktimë e një hetimi të rremë’.

“Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu