Shkruan Zef Ndreka
Dje dështoi formimi i qeverisë së re në Kosovë.
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave në parlament dhe sot gjendën në krizë.
Dhe ky zhvillim është mjaft domethënës politikisht.
Dështimi për të formuar qeverinë e re tregoi se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po përballen me një izolim të dukshëm edhe në skenën politike të Kosovës. Fakti që asnjë parti politike nuk pranoi të hyjë në koalicion me të, tregon humbje të kapitalit politik dhe besueshmërisë përballë partnerëve të mundshëm që e shohin Kurtin si të papërbashkueshëm në stilin e qeverisjes.
Shkaku kryesor i dështimit mbetët izolimi politik i Kurtit me stilin e tij të qeverisjes së centralizuar, pa hapësirë për kompromise dhe shpesh i konfrontueshëm me opozitën e me komunitetin ndërkombëtar.
Kjo ka bërë që asnjë parti të mos e konsiderojë partner.
Gjithashtu, mungesa e aleancave strategjike është një tjetër shkak. Përkundër mbështetjes popullore që ka pasur, Kurti ka dështuar të ndërtojë ura bashkëpunimi me forcat e tjera politike, sidomos me LDK-në dhe PDK-në.
Por edhe presioni ndërkombëtar ku marrëdhëniet e tensionuara me SHBA dhe BE, për shkak të politikave ndaj veriut dhe Serbisë, kanë ndikuar në qëndrimin rezervë të partive të tjera për tu bërë pjesë e një qeverie të re të drejtuar prej tij.
Në këtë situatë të pritshme, pasojat politike janë të menjëhershme që fillojnë me krizën e shumicës parlamentare. Pa mbështetje nga partitë e tjera, qeveria nuk mund të formohet, si rrjedhojë e vendos Kosovën në prag të zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Kjo ka sjell dobësimin e autoritetit të Kurtit, sidomos votimi i djeshëm në parlament ku ishte goditja më serioze ndaj liderit të Vetëvendosjes që prej ardhjes së tij në pushtet.
Por ka rritje të ndjeshme të ndikimit të opozitës, ku PDK, LDK dhe AAK mund dhe duhet të përpiqen të krijojnë një koalicion të gjerë opozitar ose qeveri kalimtare pa Kurtin.
Çfarë parashikohet të ndodhë?
Në situatën ku është sot politika në Kosovë, zgjedhjet e reja të parakohshme janë në prag.
Nqs brenda afatit kushtetues nuk arrihet formimi i qeverisë, Presidentja Osmani është e detyruar të shpallë zgjedhjet. Kjo do ta testonte sërish mbështetjen popullore të VV-së.
Por nuk përjashtohet edhe mundësia e një qeverie teknike ose e përkohshme, përmes një zgjidhje kompromisi, me një figurë neutrale ose të pranuar nga disa parti, mund të krijohej për të shmangur zgjedhjet.
Gjithashtu ështe i mundur riformatim brenda Vetëvendosjes, pasi dështimi i Kurtit shihet si përgjegjësi personale, kështu mund të lindë presioni për ndryshim në udhëheqjen e partisë, për të rifituar besimin politik.
Sido që të ndodhin ngjarjet, efektet politike mbetën afatgjata përmes rishikimit të balancave të pushtetit në Kosovë, me rritje të ndikimit të forcave tradicionale.
Do të shtohen mundësi për rifreskim politik, nqs zgjedhjet nxjerrin një strukturë të re koalicioni më bashkëpunues.
Por kryesorja do të kemi rikthim të ndikimit ndërkombëtar në proceset politike, për të shmangur shtangien e dialogut Kosovë–Serbi.
Pra, mund të themi se dështimi i Kurtit për të formuar qeverinë e re është krizë momentale, por më tepër sinjal i një lodhjeje politike dhe nevoje për rikonfigurim të gjithë sistemit partiak në Kosovë.








