Presidenti Bajram Begaj ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar, për të bërë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe prioriteteve për vitin 2023. Mbledhja nisi rreth orës 14:00 dhe përfundoi në orën 15:20, duke zgjatur më shumë se një orë.
Të pranishëm në mbledhje ishin krerët më të lartë të shtetit të cilët janë anëtarë të përhershëm të këtij Këshilli që mblidhet sa herë që presidenti i republikës e gjykon të nevojshme. I vetmi nga rradhët e opozitës që mori pjesë në mbledhje, ishte deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj i cili njëkohësisht mban edhe postin e zëvendës kryetarit të Komisionit të Sigurisë. Në hyrje të mbledhjes Begaj tha se viti i kaluar ishte sfidues, duke përmendur edhe sulmin kibernetik me të cilin Shqipëria u përball, duke pësuar probleme në infrastrukturën dixhitale.
Gjatë mbledhjes u fol edhe për tensionet e krijuara javë më parë në veri të Kosovës, ku u shpreh se Shqipëria do të jetë në krah të Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial të saj.
Cilët janë anëtarët e Këshillit sipas ligjit?
Këshilli i Sigurimit Kombëtar 1. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore. 2. Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme e sipas një rendi dite të përcaktuar. 3. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: a)Kryetari i Kuvendit; b)Kryeministri; c)Ministri i Mbrojtjes; ç) Ministri Punëve të Jashtme; d) Ministri i Drejtësisë; dh) ministri përgjegjës për punët e brendshme; e)ministri përgjegjës për financat; ë) ministri përgjegjës për transportin; f) ministri përgjegjës për energjinë; g) kryetari i komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes; gj) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; h) Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. i) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit






