‘Ndonjëherë është i vështirë për t’u kuptuar…’/ Escobar për Kurtin: Ai përsëri ngelet partneri ynë

0

Emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është shprehur se kryeministri Albin Kurti është partner i SHBA-së edhe pse ndonjëherëështë një bashkëpunëtor i vështirë. Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, Escobar ka theksuar se Kosova është dhe vazhdon të jetë partner i SHBA.

“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, thekson Escobar.

Sipas tij, nëse SHBA-ja do të kishte ndonjë rol në vendimarrje sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, atëherë i gjithë rajoni do të ishte brenda BE-së deri në vitin 2030.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar.

Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.

“Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, ka shtuar ai.

Escobar ka thënë se duhet të gjenden mënyrat për të de-përshkallëzuar gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.

“Në Ohër arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, ishim optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thosha se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën [në veri të Kosovës] dhe menjëherë ta kthejmë fokusin në zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë ai.

Situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu