Në Zvicër janë gati 15 mijë vende të lira pune në infermieri dhe po kërkohen edhe rreth 4 mijë mjekë, transmeton albinfo.ch. Kompania HR x28 vjen së fundi me këto shifra.
Për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar, mjeku i urgjencës dhe bashkë-presidenti i Shoqatës Zvicerane për Mjekësinë Emergjente dhe Shpëtim, Vincent Ribordy, paralajmëron për një kolaps të sistemit në dhomat e urgjencës të spitaleve zvicerane.
“Ne jemi në prag të kolapsit”. Stacionet e para të urgjencës tashmë janë përgjigjur. Për shembull, stacioni i urgjencës në spitalin Martigny VS do të mbetet i mbyllur gjatë natës për momentin”, shkruan gazeta SonntagsZeitung.
Prandaj ai bën thirrje për një rimendim të situatës. Në shumë raste, urgjenca është adresa e gabuar për shqetësime të vogla shëndetësore. Së këtejmi ai thotë se mund të imagjinonte kufizimin e aksesit falas në stacionet e urgjencës, për shembull duke u regjistruar paraprakisht.
Një model i ngjashëm është vënë në funksion në Danimarkë dhe ka treguar rezultate të mira, shton ai, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, sipas Ribordy, modeli në fjalë nuk mjafton, ai duhet të shoqërohet me masa të tjera për shkakun se në Zvicër ka mungesë të madhe të mjekëve dhe infermierëve.