Takimi i thirrur nga Ministria e Ekonomisë për të ndërmjetësuar zgjidhje mes kërkesave të minatorëve të Spaçit dhe koncesionarit “Tete Albania” nuk solli asnjë zhvillim të ri për çështjen. Në këto kushte, greva e 76 minatorëve vijon në javën e tretë të saj.
Minatorët kishin kërkuar kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët e konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.
Qasja e ministrisë u cilësua indiferente nga Konfederata e Sindikatave (KSSH), kreu i së cilës, Kolë Nikollaj, shprehu zhgënjimin për mungesën e arritjes së një marrëveshjeje pavarësisht se takimi zgjati rreth katër orë.
“Ofruam mundësinë për t’u kthyer në punë, duke kthyer të gjithë punëtorët, të 17-të që kanë larguar gjatë grevës, por ai [përfaqësuesi i kompanisë] nuk pranoi,” tregoi Nikollaj për Citizens.al.
Sipas kreut të KSSH-së grupi i minatorëve ishte dakord të ofronte dhe 15 ditë pas kthimit në punë për të diskutuar më pas kushtet e kontratës kolektive.
Albert Bushpreni, minator i larguar nga puna, konfirmoi gjithashtu për Citizens.al se greva vijon dhe palët nuk kanë rënë dakord në asnjë nivel institucional.
“As në ministri, as në prefekturë, as në bashki, askund s’kemi renë dakord. U bënë takimet, ata akoma i mëshojnë pjesës së paligjshëmrisë sonë,” tha Bushpreni.
Ky ishte takimi i dytë zyrtar në strukturat shtetërore mes palëve. Më herët përfaqësuesit e minatorëve dhe kompanisë ishin takuar më 10 tetor në Agjencinë Kombëtare të Punësimit në Lezhë, e po ashtu takim patën edhe në bashkinë Mirditë, por pa rezultat.
Grupi i minatorëve ka formuluar 10 kërkesa të përgjithshme, ku ndër më kryesoret janë kontrata kolektive, rritja e pagave dhe kushte më të mira pune.
Javën që shkoi, në një deklaratë për shtyp, kompania “Tete Albania” u bëri thirrje punonjësve t’i kthehen punës pasi greva ka ndikuar në aktivitetin e saj. Duke e konsideruar me efektin e një “sulmi ekonomik” kompania nënvizoi se mund të përballet me “vështirësi në shlyerjen e detyrimeve financiare”.
Në kushte të tilla është përfolur për një tërheqje të kompanisë “Tete Albania” dhe mbyllje të minierës së bakrit nëse nuk rinis puna, version të cilin minatorët e kanë konsideruar më shumë si një formë presioni.
Sipas kreut të KSSH-së Nikollaj, tërheqja dhe mbyllja e minierës së Spaçit nuk është dhe aq e lehtë për të ndodhur, pasi parashikohen procedura dhe pasoja për të.
“Në bazë të ligjit minerar koncesionari nuk mund të mbyllë minierën pa njoftuar qeverinë dhe në qoftë se do ta mbyllë, i ngurtësohet fondi nga qeveria shqiptare dhe paguan punëtorët me këtë, por edhe i humbasin investimet, ndaj nuk është kaq lehtë as ta mbyllë dhe as ta konservojë,” tha Nikollaj.
Greva e përgjithshme e minatorëve të Spaçit ka nisur më 13 tetor, pasi një sindikatë e formuar prej tyre, e cila paraqiti formalisht kërkesat për kushte dhe paga më të mira nuk u njoh nga kompania. Ata kanë paralajmëruar se do ta vijojnë deri në plotësimin e kërkesave.
Drejtuesi i “Tete Albania”, Cem Koray Yagci, ka deklaruar për Citizens.al se sindikata nuk kishte dorëzuar dokumentacion ligjor të vlefshëm.
Sipas tij, KSSH, e cila e mbështet sindikatën e re, nuk ka paraqitur listën e anëtarëve dhe vendimin për krijimin e saj, çka sipas tyre e bën grevën “të paligjshme”.
Yagci theksoi se punonjësit “kanë të drejtë të protestojnë”, por jo të pengojnë të tjerët, ndërsa e cilësoi mandatin e Nikollajt si të përfunduar që në vitin 2024. Por, Nikollaj e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar si “artificë ligjore”.
Sipas Nikollajt, KSSH është një strukturë me 2,300 organizata dhe dokumentet për rimandatimin e tij janë depozituar në gjykatë që prej nëntorit 2024.
“Gjykata është në proces, por kjo nuk e pezullon mandatin,” thekson ai duke argumentuar se kompanisë i është dërguar historiku i gjykatës dhe dokumentet e Kongresit që e rimandatoi atë në krye.








